Në Kosovë rritet çmimi i naftës/ Uljet në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohen, opozita akuzon qeverinë
Të mërkurën në bursën ndërkombëtare çmimi i naftës pati rënie.

Të mërkurën në bursën ndërkombëtare çmimi i naftës pati rënie. Kjo pritej të reflektohej edhe në Kosovë, megjithatë, të enjten çmimi i naftës pati rritje.
Çmimi maksimal ditor i përcaktuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë për nëntë prill është 1 euro e 91 cent për shitësit me shumicë.
Kjo shënon rritje prej dy centësh në krahasim me një ditë më parë kur çmimi i naftës ishte 1 euro e 89 centë.
Krahas çmimit të naftës, është rritur edhe çmimi i benzinës në 1 euro e 47 centë dhe gazit që shkoi në 77 centë për litër.
Ndërkohë pasditen e së enjtes në pikat e karburantit në Prishtinë çmimi më i lartë ishte 1 euro e 89 centë duke mos reflektuar rënie sikur në vendet e rajonit.
Rritja e çmimit të derivateve të naftës për ditën e enjte ndonëse pati rënie në bursën ndërkombëtare u kritikua nga opozita.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami shkroi se kjo situatë po tolerohet nga pushteti dhe se nuk funksionon marzha e fitimit e çmimi maksimal ditor.
Sipas Bajramit qeveria duhet “të bëj raportim ditor për stokun dhe çmimin e importit, reflektim real i çmimeve në kohë, jo abuzim me stokun e vjetër dhe ulje të TVSH-së dhe akcizës.
Ndërkohë që vendimi për çmimin ditor maksimal ishte marrë me pesë prill nga Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari – Lila me qëllim të rregullimit të tregut, një gjë e tillë nuk po reflektohet në vend. Top Channel
