Policia e Shtetit ka konfirmuar arrestimin në Francë të Ermal Beqirajt, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen e AKSHI-t. Sipas njoftimit zyrtar, Beqiraj u arrestua në qytetin e Amiens pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa akuzat përfshijnë heqjen e paligjshme të lirisë, konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grupin e strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Sipas policisë, Beqiraj u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen Xhandarmërisë Franceze. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, ndërsa ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij.
Pas kësaj procedure pritet të vijojnë hapat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Njoftimi nga policia: Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal", si dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Shtetasi E.B, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t'i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

