Lajme Zone
Në bankën e të akuzuarit, njeriu apo durimi i tij?
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Në bankën e të akuzuarit, njeriu apo durimi i tij?

Ironia më e madhe është se në teori paraburgimi është masë e jashtëzakonshme, ndërsa në praktikë rrezikon të kthehet në një dënim paraprak.

25 muaj paraburgim për një njeri që ende pret një vendim përfundimtar. Jemi një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të sherebelës, të parët në kafene për frymë, bunkerë për banorë, për praninë e një lavazhi makinash çdo 100 metër, etj.. Dhe mbi të gjitha, vendi ku drejtësia është nëna më riprodhuese e të gjitha çudirave juridike. 25 muaj paraburgim është një maratonë proçedurash ku finishi zhvendoset me kërcim, sa herë afrohet garuesi. 25 muaj paraburgim janë mjaftueshëm për të rritur një fëmijë deri sa të flasë, mjaftueshëm që një student të përfjë një master. për të ndërtuar një autostradë 50 km të gjatë, kohë e mjaftueshme pakënaqësie të heshtur flamingosh për të rrëzuar qeverinë. Por, mesa duket, ende jo mjaftueshëm për të mbyllur një proçes gjyqësor. Ironia më e madhe është se në teori paraburgimi është masë e jashtëzakonshme, ndërsa në praktikë rrezikon të kthehet në një dënim paraprak. Nëse pas më shumë se dy vitesh ende nuk arrin një vendim në themel, lind një pyetje që nuk është politike, por juridike: po gjykohet çështja, apo po administrohet pritja? Duket sikur drejtësia e reformuar ka shpikur një disiplinë të re garash: “100 metra me pengesa proçedurale”. Dosja ecën, seancat shtyhen, afatet zgjaten dhe “fakiri” mëson vetëm një gjë: koha kalon më shpejt se proçesi. LEXO edhe...Përgjegjësia e madhe e Drejtësisë së re për të lehtësuar situatën Në teori, paraburgimi është një masë e jashtëzakonshme. Në praktikë, ngjan me një hotel ku askush nuk të thotë se kur mbaron rezervimi. Nuk ke ardhur për të vuajtur dënimin, por as nuk të lejohet të presësh vendimin si një qytetar i lirë. Je pezull, në një korridor ku ora punon, kalendari punon, vitet punojnë, vetëm vendimi duket se është rreptësisht në grevë. Ironia është se koha, e cila duhet të jetë armiku i padrejtësisë, bëhet aleatja e saj. Çdo muaj shtesë vishet me petkun e proçedurës, çdo shtyrje quhet domosdoshmëri, çdo pritje shitet si kujdes maksimal. Dosja lëviz me solemnitetin e një akullnaje, ndërsa jeta e njeriut matet me seanca që shtyhen, afate që zgjaten dhe shpresa që konsumohen. Një dënim pa emër, një pafajësi pa fund dhe një drejtësi që ecën aq ngadalë, sa nganjëherë të krijon përshtypjen se nuk po kërkon të arrijë të vërtetën, por ta lodhë atë, derisa të dorëzohet. Në fund, nuk dihet më nëse po gjykohet njeriu apo durimi i tij. Ka një ironi që të shpon më shumë se çdo akuzë. Nëse në fund gjykata shpall fajësi, shumë do të thonë se drejtësia bëri detyrën. Nëse shpall pafajësi, askush nuk ka një magazinë ku ruhen muajt e humbur për t'ia kthyer njeriut. Koha nuk rimbursohet. Nuk ankimohet. Nuk kompensohet. Ajo vetëm ikën, duke lënë pas një dosje më të trashë dhe një jetë fatkeqi më të holluar. Në botën e magjistraturës normale, pas 25 muajsh (ose rreth 760 ditësh) në paraburgim pa asnjë vendim, një prokurori normalisht duhet t'i ndodhnin disa gjëra shumë dramatike për karrierën e tij. Në një shtet ku ligji funksionon, ky prokuror sot do të ishte thjesht një ish-jurist pa liçencë. Nuk kam prirjen që një prokuror meriton një masë disiplinore pa u mbështetur në fakte të verifikuara. Por kam të drejtën të pyes: kush mban përgjegjësi? Apo përgjegjësia është i vetmi institucion që nuk paraqitet kurrë në seancë disiplinore!? Duhet të kesh një talent të lindur sadizmi të veshur me kostum zyrtar që të mbash një njeri të kyçur për 25 muaj dhe të deklarosh me zë të lartë se “çështje të tilla komplekse kërkojnë pjekje”. Kësaj i thonë: Të përdorësh fuqinë e shtetit jo për të bërë drejtësi, por për të shkatërruar jetë, karriera dhe familje, thjesht sepse askush nuk po e kontrollon. Por, duke qenë se po flasim për sistemin tonë të drejtësisë – ku koha matet me epoka gjeologjike – ja se çfarë duhet të ndodhë normalisht, e parë përmes syzeve të taksapagueve të kamur shqiptarë: Ndërsa performanca e prokurorit do të shkrinte çdo kompani private, në institucionin tonë të posaçëm (SPAK) ai shpërblehet me rrogë të rritur nga reforma dhe bonuse për “vështirësi”. Vështirësia e vetme e prokurorit në këtë rast është përballja me shikimin e njerëzve kur del nga zyra. Ndërkohë, taksapaguesit paguajnë faturën e qëndrimit në burg dhe po bëjnë gati fondin për dëmshpërblimin e majmë që Gykata e Strazburgut do të na detyrojë të paguajmë për këtë kryevepër të dështimit juridik. Sistemin do e shpallte: “Hero i Punës me Rendiment të Ulët.” Në një sistem normal, ky prokuror do të proçedohej për shkelje të afateve kushtetuese dhe shpërdorim detyre. Në realitetin tonë, ai meriton një Kupë Mirënjohjeje nga “Shoqata e Kilometrave të Dosjeve”. Duhet të admirohet aftësia e tij për të mbajtur një njeri të mbyllur për gati dy vite e gjysmë, thjesht duke "studiuar" provat me ritmin e një breshke në depresion. Brënda 25 muajve të gjumit të prokurorit, ka mjaftueshëm kohë për të mbaruar një fakultet të dytë, për të parë dy kampionate botërore futbolli ( atë të meshkujve dhe vitin tjetër atë të femrave) dhe për të pritur që pemët e mbjella në fillim të hetimit të japin frutat e para. Ndoshta ky është triumfi më i madh i administratës moderne: të arrijë ta kthejë pritjen në institucion./TemA SI.E./ReportTv.al minella aleksi paraburgim drejtesia Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.3% 100 bashki (PD) 16.2% 61 bashki (si sot) 27.5% Vota total: 3768 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?