Ledian Cikalleshi ka njoftuar se nuk është më Myfti i zonës së Korçës.
Përmes një shkrimi të gjatë, Cikalleshi tregon se do të ndryshojë detyrë, pas një dekade shërbimi për myslimanët e juglindjes.
Ai ka treguar se nga shtatori 2026 do të jetë në krye të Myftinisë së Vorës. “Të nderuar miq dhe dashamirës të zonës së Korçës, Devollit, Kolonjës dhe jo vetëm.
Që prej muajit Gusht 2026 nuk jam më Myfti i Zonës Korçë, pas një dekade shërbimi në këtë detyrë në Zonën e Korçës. Sot fillova detyrën si Myfti në Myftininë Vorë, Qarku Tiranë, ku u bë prezantimi im si Myfti në këtë Myftini dhe ku mbajta hutben e xhumasë në xhaminë Vorë.
Përgjatë 10 vite shërbimi në Zonën e Korçës, jemi përballur me mjaft sfida, kemi shërbyer dhe jemi përpjekur të mbajmë të ndezur pishtarin e përfaqësimit të institucionit dhe besimit, për të cilën në rradhë të parë falenderoj Allahun që ma mundësoi të dal faqebardhë në këtë detyrë dhe më pas të gjithë imamët, besimtarët dhe bashkëpunëtorët e mi përgjatë një dekade.
Korça me kulturën, mikëpritjen, dashurinë për fenë e Zotit, për 10 vite, u bë për mua dhe familjen time shtëpi dhe shkollë njëkohësisht. Kur po largohem për arsye objektive familjare, ndarja është e dhimbshme, por njëkohësisht e tejmbushur me kujtime dhe eksperiencë të paharrueshme. Kur kthehem pas dhe shikoj vitet që kaluan them "Elhamdulilah, ja vlejti". Javën e ardhshme pas xhumaje inshallah do jem përsëri në Korçë për tu takuar dhe hallallosur me imamët, besimtarët dhe miqtë e Zonës së Korçës.
Tashmë do jem në Vorë ku na presin sfida të reja dhe shërbimi ndaj fesë së Zotit! Falenderoj Kryesinë e KMSH-së që ma besoi këtë përgjegjësi! Lus Zotin të na nxjerri faqebardhë edhe në këtë detyrë!”,-shprehet Cikalleshi./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

