Pasi reagimeve të shumta që solli ekspozimi i veshjeve të Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli, në një manekin me një portret aspak dinjitoz në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Vendimi i tij erdhi si rrjedhojë e polemikave të ndezura në rrjetet sociale dhe kritikave nga publiku e specialistët e trashëgimisë, të cilët e konsideruan paraqitjen e manekinit si të papërshtatshme për figurën e rëndësishme të pavarësisë së vendit.
Hysi ia ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen kryebashkiakut Flamur Golemi. Përmes një deklarate publike, ai sqaroi se masa u mor për të mbajtur përgjegjësi morale, duke konfirmuar njëkohësisht se "gabimi" tashmë është rregulluar.
Pas reagimeve të menjëhershme, portreti i kontestuar është hequr nga struktura ekspozuese. Veshjet historike të heroit kombëtar tashmë paraqiten mbi një manekin neutral pa fytyrë, duke i kthyer vëmendjen kryesore vlerave muzeale dhe historike të objekteve.

