Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin për vrasje nga pakujdesia në Strellc të Deçanit.Në njoftimin e Policisë thuhet se Stacioni Policor në Deçan, më 23.07.2026, është njoftuar se në bjeshkën e Strellcit, në oborrin e një stani, një person ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri, një karikator i zbrazët dhe 24 fishekë.Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në DRP Pejë, në koordinim me prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin, i cili është cilësuar si ‘vrasje nga pakujdesia’.Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është ndaluar për 48 orë. Ndërkaq, sipas raportimeve rasti ka ndodhur në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, ku një person dyshohet se aksidentalisht vrau babanë e tij.

