Mark Rutte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se, do të reduktojë takimet e nivelit të lartë dhe nuk do të zhvillojë në Shqipëri samitin e liderëve të parashikuar për vitin 2027.
Sipas një raportimi nga prestigjozja Associated Press, vendimi vjen në një kohë tensionesh brenda aleancës për shpenzimet e mbrojtjes.
Pak ditë më pare në Dublin, kryeministri Edi Rama deklaroi se, ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për kohën kur do të mbahet samiti, duke konfirmuar se ai nuk do të zhvillohet në vitin 2027. Megjithatë, Rama theksoi se, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të organizohet në Tiranë.
Nga ana tjetër, Rutte tha se, aleanca është fleksibël për organizimin e samiteve dhe se ato mbahen kur ka nevojë. “Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. Ne kemi samite kur kemi nevojë për to”, u shpreh Rutte, duke shtuar se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në kohën e duhur. AP raporton se, Shqipëria u emërua pritëse e vitit të ardhshëm në vitin 2025, por emri i saj u hoq nga një deklaratë e samitit të korrikut.
Disa aleatë besojnë se Shqipëria nuk po shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen dhe ngurruan ta shpërblenin vendin me ngjarjen e madhe të NATO-s. Qeveria në Tiranë parashikohet të shpenzojë 2.15% të produktit të saj të brendshëm bruto për mbrojtjen këtë vit.
Objektivi i NATO-s është që 32 aleatët të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë deri në vitin 2035 dhe 1.5% për infrastrukturën që lidhet me mbrojtjen. Shqipëria nuk është shkelësi më i keq midis 32 vendeve anëtare. Spanja, Belgjika dhe Sllovenia po shkojnë shumë më keq./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

