Lajme Zone
Nafta e Detit të Veriut, “totemi” i Trump që po kthehet në dhimbje koke për kryeministrin britanik
BotëPamfleti

Nafta e Detit të Veriut, “totemi” i Trump që po kthehet në dhimbje koke për kryeministrin britanik

Kur nafta u zbulua për herë të parë në brigjet verilindore të Skocisë, në shtator 1969, askush nuk mund ta parashikonte plotësisht ndikimin që Deti i Veriut do të kishte në ekonominë dhe politikën britanike.

Dikur simbol i pasurisë dhe fuqisë së Britanisë, baseni i Detit të Veriut është sot në rënie të fortë. Por Donald Trump, Nigel Farage dhe konservatorët kërkojnë më shumë shpime, ndërsa qeveria e Andy Burnham duhet të vendosë mes presionit politik, vendeve të punës dhe tranzicionit drejt energjisë së pastër. Kur nafta u zbulua për herë të parë në brigjet verilindore të Skocisë, në shtator 1969, askush nuk mund ta parashikonte plotësisht ndikimin që Deti i Veriut do të kishte në ekonominë dhe politikën britanike.

Nga një industri në hapat e parë, nafta dhe gazi i këtij baseni u shndërruan në një nga motorët e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe në simbol të fuqisë kombëtare pas krizës së naftës të OPEC-ut.

Në vitin 1977, kryeministri laburist Jim Callaghan deklaroi se: “Zoti i ka dhënë Britanisë mundësinë e saj më të mirë në 100 vjet në formën e naftës së Detit të Veriut”.

Një dekadë më vonë, të ardhurat nga baseni u bënë pjesë e rëndësishme e projektit ekonomik të Margaret Thatcher. Në periudha të caktuara ato përbënin afro 10% të të ardhurave tatimore të Britanisë dhe mbështetën uljet e taksave dhe privatizimet.

Prodhimi arriti kulmin në fillim të këtij shekulli, me rreth 4.4 milionë fuçi ekuivalent nafte në ditë. Aberdeen lulëzoi dhe industria krijoi dhjetëra mijëra vende pune të paguara mirë.

Ewan Gibbs, historian i energjisë në Universitetin e Glasgow-t, thotë se nafta mori një rëndësi që shkonte përtej ekonomisë.

“Në kulmin e saj, nafta lidhej jo vetëm me pasuri të jashtëzakonshme, por edhe me fuqi dhe prestigj ndërkombëtar. Ajo mishëroi idenë e një ripërtëritjeje kombëtare”, thotë Gibbs. Platformë nafte në Detin e Veriut, 1974 Rezervat po shterojnë, simbolika mbetet

Gjysmë shekulli më vonë, situata ka ndryshuar. Sasia e naftës dhe gazit që mund të nxirret me leverdi ekonomike është zvogëluar ndjeshëm dhe deri në vitin 2030 prodhimi pritet të bjerë në vetëm 15% të nivelit maksimal historik.

Korporatat e mëdha po largohen gradualisht. BP njoftoi këtë verë se synon t'i japë fund pranisë së saj gjashtëdekadëshe në Detin e Veriut.

Edhe punësimi është tkurrur. Në vitet e lulëzimit, industria punësonte drejtpërdrejt rreth 120 mijë persona. Sipas të dhënave të Zyrës Britanike të Statistikave Kombëtare të cituara nga The Guardian, sot bëhet fjalë për rreth 27 mijë.

Megjithatë, rëndësia politike e naftës nuk është zvogëluar me të njëjtin ritëm.

“Edhe ndërsa industria bie, për shumë njerëz ekziston ende një bindje e fortë se kjo është nafta e Britanisë, se është e bollshme dhe i përket vendit”, thotë Gibbs.

Sipas tij, pikërisht kjo lidhje e bën Detin e Veriut shumë më të rëndësishëm në imagjinatën politike britanike sesa pesha e tij aktuale ekonomike.

Trump: Deti i Veriut ka rezerva për 500 vjet

Para zgjedhjeve të vitit 2024, Partia Laburiste premtoi se nuk do të jepte licenca të reja për kërkimin e naftës dhe gazit.

Politika mbështetej te ideja se Britania duhet të përshpejtonte kalimin drejt burimeve të rinovueshme. Ed Miliband, atëherë ministër i Energjisë, argumentonte se kjo mund ta kthente vendin në një “superfuqi të energjisë së pastër”.

Por dy vjet më vonë, shpimet janë rikthyer në qendër të debatit.

Nigel Farage, drejtues i Reform UK, kërkon që Britania të bëhet “e vetëmjaftueshme me gaz”. Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch premton një industri në rritje të naftës dhe gazit që, sipas saj, do të “garantojë sigurinë tonë energjetike për brezat e ardhshëm”.

Në debat është përfshirë edhe Donald Trump, mbështetës i politikës “drill, baby, drill”.

Presidenti amerikan e ka cilësuar Detin e Veriut si “një nga rezervat më të mëdha kudo në botë”, duke pretenduar se aty kanë mbetur rezerva nafte dhe gazi për 500 vjet.

Ekspertët e kundërshtojnë këtë pretendim. Steve Pye, profesor i sistemeve energjetike dhe zëvendësdrejtor i Institutit të Energjisë në University College London, thotë se: “Baseni i Detit të Veriut ka qenë në rënie që nga viti 2000. Nuk ka perspektiva të besueshme për ta përmbysur këtë”.

A do t'i ulnin faturat shpimet e reja?

Një nga argumentet kryesore të mbështetësve të shpimeve është se rritja e prodhimit vendas mund të ndihmojë familjet britanike dhe të forcojë sigurinë energjetike.

Por ekspertët e cituar nga The Guardian argumentojnë se çmimet e naftës dhe gazit përcaktohen në tregjet ndërkombëtare. Përmasat e rezervave britanike nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar ndjeshëm çmimet dhe, rrjedhimisht, faturat e konsumatorëve.

Pjesa më e madhe e rezervave të mbetura në Detin e Veriut është naftë, e cila kryesisht eksportohet për përpunim dhe më pas tregtohet ndërkombëtarisht.

Një analizë e Carbon Brief vlerëson se pa licenca të reja, prodhimi i gazit në Detin e Veriut do të bjerë 99% deri në vitin 2050. Me licenca të reja, rënia do të ishte përsëri 97%.

Në të kundërt, sipas analizës, projektet e reja të energjisë së erës dhe diellit të miratuara nga qeveria pritet të prodhojnë deri në vitin 2030 gjashtë herë më shumë energji elektrike sesa do të sillnin licencat e reja të shpimit.

Burnham ndryshon tonin

Kjo është dilema që tani përballet kryeministri Andy Burnham.

Në qershor të vitit të kaluar, kur drejtonte Greater Manchester, Burnham mbështeti propozimin për një traktat ndërkombëtar për heqjen graduale të qymyrit, naftës dhe gazit, duke e quajtur atë një “litar shpëtimi” të cilit duhet t'i bashkohen “të gjitha qeveritë”.

Por si kryeministër, ai ka premtuar një qasje “pragmatike” ndaj shpimeve në Detin e Veriut dhe ka deklaruar se qeveria nuk mund të shpërfillë burimet potenciale të basenit.

Ministrja e Energjisë, Miatta Fahnbulleh, ka shprehur qëndrime të ngjashme. Ndërkohë, pas përfundimit të konsultimeve për projektet Jackdaw dhe Rosebank, vendimi i qeverisë mund të vijë në çdo moment.

Tessa Khan, drejtuese e organizatës Uplift, e quan “një fantazi të rrezikshme” idenë se Deti i Veriut mund të zgjidhë problemet energjetike të Britanisë.

“Pas 50 vitesh shpime, fakti është se Mbretëria e Bashkuar ka konsumuar pjesën më të madhe të rezervave të saj të gazit, ndërsa shumica e asaj që ka mbetur është naftë që kryesisht eksportohet”, thotë Khan.

Sipas saj, politikanët duhet të përqendrohen te krijimi i vendeve të sigurta dhe afatgjata të punës në sektorët që do të zëvendësojnë industrinë fosile.

400 mijë vende të reja pune

Qeveria britanike ka shpallur një plan për 400 mijë vende shtesë pune në ekonominë e gjelbër gjatë pesë viteve.

Sektori po zgjerohet me shpejtësi. Sipas Confederation of British Industry, ekonomia e gjelbër mbështet tashmë rreth një milion vende pune dhe ka në perspektivë investime prej afro gjysmë trilion paundësh.

Ndryshimi është veçanërisht i dukshëm në Detin e Veriut, ku po ngrihen parqe të mëdha me turbina ere. Ato prodhojnë rreth 18% të elektricitetit të Mbretërisë së Bashkuar.

Në vitin 2025, burimet e rinovueshme siguruan 50.4% të energjisë elektrike britanike, kundrejt 31.8% nga lëndët djegëse fosile.

Megjithatë, sindikatat paralajmërojnë se tranzicioni nuk po krijon ende në shkallën e premtuar vende pune të sigurta për punonjësit që largohen nga industria e naftës dhe gazit.

Connor Watt, nga organizata Platform, thotë se tranzicioni duhet të sjellë tri rezultate: “vende pune, energji më të lirë dhe të ardhura nga prodhimi i elektricitetit që mund të përdoren për të forcuar financat publike dhe për të ndihmuar komunitetet lokale”. Sipas tij, këto përfitime ende nuk janë materializuar plotësisht.

Modeli norvegjez

Në këtë debat, krahasimi me Norvegjinë mbetet i pashmangshëm.

Norvegjia përdori të ardhurat nga nafta dhe gazi i Detit të Veriut për të ndërtuar një fond sovran që sot vlen më shumë se 2 trilionë dollarë.

Analistët kanë vlerësuar se, nëse Britania do të kishte ndjekur një strategji të ngjashme, një fond britanik mund të vlente sot rreth 850 miliardë paund.

Watt argumenton se Britania zgjodhi një model tjetër, në të cilin një pjesë e madhe e përfitimeve shkoi te korporatat globale dhe jo te komunitetet vendase. Shqetësimi i tij është se e njëjta gjë mund të përsëritet me industrinë e energjisë së rinovueshme.

Pavarësisht rënies së prodhimit, nafta e Detit të Veriut vazhdon kështu të ketë një peshë të madhe politike dhe simbolike.

Për Trumpin dhe mbështetësit britanikë të shpimeve, ajo përfaqëson një burim vendas energjie që duhet shfrytëzuar. Për ekspertët dhe organizatat klimatike, rezervat në rënie tregojnë se Britania duhet ta kërkojë sigurinë e saj energjetike diku tjetër.

Dhe për qeverinë e Burnham, çështja shkon përtej pyetjes nëse duhen hapur puse të reja. Sfida kryesore është nëse Britania mund ta shndërrojë tranzicionin drejt energjisë së rinovueshme në atë që nafta e Detit të Veriut përfaqësonte dikur: vende pune, të ardhura dhe siguri ekonomike./ Përshtatur nga "The Guardian" Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Irani paralajmëron fqinjët: Nëse i bashkoheni luftës ekonomike të SHBA-së, do të hakmerremi ashpër 22 Gusht 2026, 22:5322:53Rajoni dhe Bota “Shahu” gjeopolitik Turqi-Izrael: Një lëvizje e gabuar mund të ndezë rajonin 22 Gusht 2026, 22:3822:38Rajoni dhe Bota Si “Mbreti i kriptove” po ndihmon Rusinë të thyejë sanksionet 22 Gusht 2026, 22:2022:20Rajoni dhe Bota Trump paralajmëron republikanët: Nëse nuk fitojmë zgjedhjet, demokratët nisin procedurat për shkarkimin tim 22 Gusht 2026, 21:4521:45Rajoni dhe Bota Operacion në zemër të Mykonosit/ Zbërthehet rrjeti i trafikut të drogës, arrestohen 9 persona 22 Gusht 2026, 19:1519:15Rajoni dhe Bota Ivan Il’in, filozofi që ndihmon të kuptohet Putini dhe Rusia e sotme 22 Gusht 2026, 18:4918:49Rajoni dhe Bota