“Na thavi krahin”. Këto kanë qenë fjalët e para të Lazër Bashit pasi arriti të largohej nga vendi ku ndodhi atentati në Dukagjin, ku Prelë Gjoni dhe djali i tij, Lekë Gjoni, u qëlluan për vdekje me armë zjarri.
Bashi, i cili mbeti i plagosur në shpatull, ka mundur të shpëtojë mes breshërisë së plumbave dhe më pas ka përshkuar rreth dy kilometra në këmbë për të kërkuar ndihmë.
Ngjarja ndodhi teksa tre personat udhëtonin me një fuoristradë. Sipas të dhënave të deritanishme, dy autorë të maskuar kanë hapur zjarr me dy armë, duke qëlluar më shumë se 50 herë në drejtim të automjetit. Prelë dhe Lekë Gjoni humbën jetën në vend, ndërsa Bashi u shtri në pjesën e pasme të mjetit dhe arriti t’i mbijetojë sulmit.
Pasi autorët u larguan, ai ka pritur disa minuta dhe më pas ka dalë nga fuoristrada, e cila kishte humbur kontrollin dhe ishte përmbysur në një anë të rrugës.
Megjithëse ishte i plagosur dhe kishte humbur gjak, Bashi ka marrë me vete celularin dhe ka nisur të ecë në kërkim të një zone me sinjal. Në vendin e atentatit nuk kishte mbulim telefonik.
Pas rreth 40 minutash ecje, në një distancë prej afro dy kilometrash, ai ka mbërritur pranë një lokali, pas kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit. Aty ka mundur të telefonojë një të afërm.
“Na thavi krahin”, mësohet të ketë thënë Bashi në telefon, duke treguar më pas se si kishte përfunduar rastësisht në të njëjtën fuoristradë me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se dy burrat kishin mbetur të vrarë.
I plagosuri ka larë gjakun në një çezmë pranë lokalit dhe ka pritur mbërritjen e ndihmës. Fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut është transportuar më tej drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e personave që organizuan dhe ekzekutuan atentatin. Deri tani, disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, por nuk ka ende një të dyshuar konkret për autorësinë e krimit.
Një nga pistat që po verifikohet lidhet me divorcin e Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë, ndërsa një tjetër me një konflikt të hershëm. Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë përplasje të kohëve të fundit që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Prelë dhe Lekë Gjoni po ktheheshin nga banesa e vjetër në Dukagjin, ku mbanin disa koshere bletësh, në drejtim të Shkodrës. Ata u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.
Lekë Gjoni, i cili dyshohet se ishte objektivi kryesor i atentatit, punonte me mjete të rënda në zonën e Dukagjinit, ndërsa merrej me transportin dhe ngarkimin e materialeve të ndërtimit. Sipas familjarëve, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte çdo ditë pa pasur konflikte të njohura.
Terreni i thepisur malor, mungesa e kamerave të sigurisë dhe izolimi i zonës po e vështirësojnë punën e grupit hetimor. Policia dhe prokuroria po mbledhin dëshmi dhe prova të tjera për të rindërtuar dinamikën e atentatit dhe për të zbuluar autorët e vrasjes së dyfishtë.

