Një qytetar, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një skemë të pretenduar mashtrimi, që sipas tij promovohet nga disa faqe në TikTok.
Denoncuesi pretendon se këto faqe ofrojnë “kalime të sigurta” drejt Europës dhe organizojnë nisjen nga Tirana, duke i dërguar personat deri pranë kufirit të Hungarisë.
Sipas tij, pasi mbërrijnë në zonën kufitare, personave u kërkohet të vazhdojnë rrugën në këmbë. Denoncuesi pretendon se ata ndalohen nga policia hungareze, mbahen për disa orë dhe më pas kthehen pas.
Problemi, sipas tij, nis më pas, pasi personat që kanë organizuar udhëtimin nuk shkojnë t’i marrin dhe ata mbeten në rrugë pa transport dhe pa ndihmë.
“Na kanë marrë në qafë duke na thënë se kalimi është i sigurt. Nisjen e bëjnë nga Tirana, na sjellin te dogana e Hungarisë dhe na thonë të kalojmë në këmbë. Pastaj na mban policia 4-6 orë dhe na kthen. Kur kthehemi, nuk vijnë më të na marrin dhe na lënë aty.”
Në redaksi është dërguar edhe një video e filmuar nga denoncuesi brenda një ambienti të autoriteteve hungareze. Në pamje dallohen kangjella metalike, korridore dhe hapësira pritjeje, ndërsa denoncuesi thotë se ambienti është i njohur për personat që janë ndaluar në raste të ngjashme.
Ai kërkon që rasti të publikohet në mënyrë që persona të tjerë të mos bien pre e pretendimeve për “kalime të sigurta”.
Denoncuesi i bën gjithashtu thirrje Policisë së Shtetit që të hetojë faqet dhe personat që, sipas tij, ofrojnë këto shërbime përmes rrjeteve sociale dhe të bashkëpunojë me autoritetet hungareze për verifikimin e rasteve.
Pretendimet e denoncuesit për ekzistencën dhe mënyrën e funksionimit të kësaj skeme mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara në redaksi, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të marrin masat përkatëse nëse konstatohen shkelje. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

