Në Fier prangoset ish-drejtori i Kadastrës, Ertis Shehu, ndërsa në Tiranë “goca shembullore” Lorena Goxhobelli vijon të ngrohë karrigen e paprekshme, duke dëshmuar se grabitja e tokave nuk është incident, por model qeverisjeje nga bregdeti te fusha. Pas sagës së Palasës, i njëjti film me tjetërsime të mijëra hektarëve po shfaqet në Darzezë, ku institucioni funksionon si zyrë porosish e jo si regjistër i shtetit.
Në qendër të këtij bunkeri të mbyllur, që shmang auditimet e KLSH-së, qëndron pikërisht kjo “goca shembullore”, e cila mori drejtimin e ASHK-së në vitin 2024 për t’u dhënë dritë jeshile skemave korruptive dhe legalizimeve të paligjshme. Fijet e kësaj loje çojnë drejt e te emri i saj, pranë “Palasës 2”, bandës kriminale Durrës-Fier dhe Ergys Agasit, biznesmenit të “verërave me shije të kripur”, që ka shije për miliona euro nëpër tryeza jugore.
Për zbatimin në terren kujdesej ushtari i bindur Ertis Shehu, ish-drejtor i ASHK-së Fier dhe mëkëmbësi i porosive të Lorenës, i cili vidhte me shkollë bashkë me personazhet e krimit që bënin mbrojtjen.
Saga e Palasës u kopjua besnikërisht në Darzezë, duke provuar se gjithçka ndahet me saktësi kirurgjikale mes atij që vulos në zyrë, atij që mbron interesat në terren dhe shtetit që bën sikur fle gjumë, derisa pasuria publike të ndërrojë pronarë natën.

