Foto e krijuar me Intelgjencë Artificiale Mësimi edhe pas 100 vitesh është po aq i të hidhur: kur pushteti personal bëhet më i rëndësishëm se institucionet, edhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të kthehen në pengjet e tij... Në historinë e Benito Mussolinit ka një episod që meriton të kujtohet sa herë flasim për marrëdhënien mes një udhëheqësi dhe njerëzve që kanë qenë pjesë e ndërtimit të pushtetit të tij.
Është historia e vrasjes së deputetit socialist Giacomo Matteotti, në qershor të vitit 1924. Matteotti ishte një nga kundërshtarët më të vendosur të fashizmit. Ai kishte denoncuar manipulimin e zgjedhjeve, dhunën politike dhe korrupsionin e regjimit. Pas rrëmbimit dhe vrasjes së tij, hetimet çuan te një grup njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me strukturat e pushtetit fashist. Në krye të grupit ishte Amerigo Dumini.
Por pas arrestimit të tyre, historia bëhet edhe më interesante. Historiani italian Mauro Canali, një nga studiuesit e çështjes Matteotti, përshkruan një marrëdhënie shantazhi të ndërsjellë mes Mussolinit dhe njerëzve të tij të arrestuar. Bashkëpunëtorët e burgosur kërcënonin se do të flisnin nëse Mussolini nuk ndërhynte për t'i mbrojtur dhe për t'i nxjerrë nga burgu. Ata dinin shumë. Mbijetesa politike e Duçes varej, të paktën pjesërisht, nga heshtja e tyre.
Mussolini, nga ana tjetër, u përcillte një mesazh po aq të qartë: nëse ai rrëzohej, ata do të mbeteshin në burg; nëse ai mbijetonte politikisht, do të gjente një mënyrë për t'i shpëtuar.
Marrëveshja ishte e heshtur, por e kuptueshme: ju merrni përsipër përgjegjësinë, nuk flisni për mua dhe unë do të kujdesem për ju.
Një lloj kontrate që nuk kishte nevojë për noter, ku njëri mbante pushtetin dhe të tjerët mbanin sekretet.
Gati një shekull më vonë, në Shqipëri, konflikti mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ndonëse në rrethana historike dhe politike krejt të ndryshme, sjell në vëmendje një mekanizëm të ngjashëm të personalizimit të pushtetit.
Sipas versionit të bërë publik nga avokati Plarent Ndreca, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka vizituar Veliajn në burgun e Fierit dhe i ka përcjellë një mesazh të kryeministrit. Mesazhi përmbante kërkesën për dorëzimin e mandatit, delegimin e pushtetit te persona të përcaktuar prej tij dhe heqjen dorë nga avokati mbrojtës. Në të kundërt, sipas këtij versioni, pasonin kërcënime për transferim në një burg tjetër dhe për orientimin e SPAK-ut drejt hetimeve të reja. Gogu i ka mohuar këto pretendime, të cilat kërkojnë verifikim të pavarur.
Rama dhe Veliaj kanë qenë për vite pjesë të së njëjtës strukturë pushteti. Veliaj nuk ishte thjesht një kryetar bashkie i zgjedhur nga socialistët. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të projektit politik të Ramës, një nga njerëzit që mishëronin vazhdimësinë dhe suksesin e këtij projekti në Tiranë.
Por pushteti i personalizuar i Ramës ka një logjikë të veçantë: bashkëpunëtori është i vlefshëm për aq kohë sa është i dobishëm dhe i bindur. Kur kërkon autonomi, bëhet problem. Kur kundërshton, trajtohet si tradhtar dhe kur di shumë, bëhet edhe më i papërshtatshëm.
Historia e Mussolinit ka edhe një kapitull tjetër. Në vitin 1943, kur regjimi po shembej, një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij votuan kundër tij në Këshillin e Madh Fashist. Mes tyre ishte edhe Galeazzo Ciano, ish-ministër i Jashtëm dhe dhëndri i Mussolinit. Pas rikthimit të tij në pushtet, Mussolini organizoi Procesin e Veronës. Pesë nga ata që kishin votuar kundër tij u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan.
Por ajo që e bën episodin e Fierit edhe më shqetësues është pretendimi për përfshirjen e ministrit të Drejtësisë në një konflikt mes kryeministrit dhe një ish-bashkëpunëtori të tij, i cili ndodhet në burg.
Ministri i Drejtësisë, në fund të fundit, ka një funksion kushtetues dhe institucional. Nuk është korrier politik, aq më pak shpërndarës porosish në qelitë e burgjeve.
Nëse versioni i Veliajt provohet, atëherë kemi të bëjmë me një problem që shkon shumë përtej një konfliktit brenda Partisë Socialiste. Kemi një situatë ku kufiri mes përgjegjësisë institucionale dhe shërbimit ndaj interesave politike është zhdukur përfundimisht.
Mësimi edhe pas 100 vitesh është po aq i të hidhur: kur pushteti personal bëhet më i rëndësishëm se institucionet, edhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të kthehen në pengjet e tij. Dhe kur politika shndërrohet në një marrëdhënie pengmarrjeje të ndërsjellë, demokracia është ajo që rrezikon të mbetet pengu i fundit.musolini rama veliaj Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Studentët? Abuzimi me pronarët e protestës! 2 Nëntor 2026, 18:4118:41Forum Gjithçka nisi me Ivankën, por fundi mund të jetë për Edi Ramën 2 Nëntor 2026, 18:3018:30Forum “Vjeshta e nxehtë” e Evropës/ Pse Gjenerata Z po ngrihet në protesta në të gjithë kontinentin? 2 Nëntor 2026, 16:2116:21Forum Një referendum për fundin e Trumpizmit! 2 Nëntor 2026, 14:5614:56Forum Një portë, nëntë mace dhe një zemër e madhe njerëzore… 2 Nëntor 2026, 13:1313:13Forum A do të ndikojë supertaksa e apartamenteve bosh te çmimet apo te qiratë? 2 Nëntor 2026, 11:1311:13Forum

