Administrata Tatimore ka prezantuar asistentin e saj të ri virtual, të pagëzuar “Muçi”, i cili do t’u përgjigjet bizneseve për deklarimet, pagesat, faturat elektronike dhe detyrimet fiskale. I veshur me kostum tradicional shqiptar, Muçi vjen si simbol i modernizimit të administratës, por përpara se të na bindë për aftësitë e tij teknologjike, duhet të kalojë një provë të rëndësishme: të mos i kërkojë faturë malit për rigonin që mbledh Bardha! Për të komunikuar me të, bizneset duhet të identifikohen në e-Albania, sepse edhe për të pyetur një robot në këtë vend duhet më parë të kalosh një provim me dokumente.
Emri i asistentit, megjithatë, nuk është zgjedhur pa shkaktuar nostalgji. Shqiptarët e mbajnë mend mirë inspektorin Muçi të Sarandës, që u bë i famshëm pasi i kërkoi faturën Bardhës për rigonin e mbledhur në mal. Një histori që na mësoi se në Shqipëri as bari nuk është më thjesht bar, por potencialisht aktivitet ekonomik i padeklaruar! Tani Muçi është rikthyer, ka lënë terrenin dhe ka hyrë në botën dixhitale. Me inteligjencë artificiale, me kostum popullor dhe me shumë gjasa me të njëjtin pasion për faturat. Kujdes Bardha, mos e hap e-Albania pa kontrolluar më parë shportën e rigonit!
Tatimet thonë se Muçi do të lehtësojë komunikimin dhe do të shmangë paqartësitë fiskale. Shumë mirë! Por bizneset kanë një pyetje, a do të na sqarojë Muçi si të paguajmë taksat, apo do të na shpjegojë edhe si të marrim faturë nga mali? Sepse në një vend ku burokracia shpesh e bën edhe një tufë rigon të duket si ndërmarrje shumëkombëshe, një asistent virtual nuk mjafton. Duhet edhe pak inteligjencë natyrore në administratë. Të paktën kësaj here shpresojmë që Muçi të jetë më shumë asistent dhe më pak inspektor, sepse Bardha nuk mund të jetë përjetësisht në kërkim të një fature për rigonin!

