Moti i keq që përfshiu Lezhën gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike. Katër fidra kanë pësuar defekte, duke lënë pa energji disa fshatra në njësitë administrative Kallmet, Dajç, Blinisht, Shënkoll, Kolsh dhe Zejmen, si dhe disa lagje të qytetit të Lezhës.
Grupet e OSHEE-së kanë nisur punën për riparimin e defekteve, të cilat, sipas të dhënave paraprake, lidhen edhe me amortizimin e rrjetit elektrik. Pritet që furnizimi me energji të rikthehet së shpejti pas përfundimit të ndërhyrjeve në linjat e dëmtuara.
Probleme janë regjistruar edhe në lagjen Skënderbej të qytetit të Lezhës ku një linjë e tensionit të mesëm ka rënë mbi disa banesa, duke shkaktuar frikë te banorët. Si pasojë, në njërën prej këtyre banesave pati edhe dëmtime të pajisjeve elektrike. Edhe në këtë zonë kanë ndërhyrë ekipet për riparimin e defektit, por situata ngre shqetësimin për sigurinë e banorëve. Për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla dhe rrezikun për banesat, kërkohet zhvendosja e linjës elektrike. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet
