Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Sherif B, ka përcjellë një mesazh për studentët e diplomuar të Universitetit “Luarasi”, gjatë ceremonisë së diplomimit, duke u dhënë atyre disa këshilla për rrugëtimin e tyre të mëtejshëm profesional dhe personal. B u tha të rinjve se kjo ditë duhet shijuar, por njëkohësisht duhet parë si pikënisja e një kapitulli të ri. “Shijojeni këtë ditë, por mos harroni se fundi i një pune të mirë është fillimi i një pune dhe projekti akoma më të mirë”, u shpreh ai. Duke folur për çelësin e suksesit, B veçoi dy elemente që, sipas tij, do të jenë të rëndësishme gjatë gjithë jetës së të rinjve: dashurinë për librin dhe respektin për pedagogët. “Jam i bindur se çelësi i suksesit tuaj qëndron në dy elemente të rëndësishëm: te dashuria juaj për librin dhe te respekti juaj për pedagogët tuaj. Uroj që pedagogët të jenë idhujt tuaj. Mbajini idhujt tuaj si idhuj, mos i zbrisni në tokë, mbajini në qiell”, tha dekani. Ai theksoi se formimi dhe leximi duhet të shoqërojnë të rinjtë edhe pas përfundimit të studimeve. “Libri do t’ju shoqërojë gjithë jetën. Po e latë librin, do ju lërë”, u shpreh B. Në fund, dekani u ndal te rëndësia e mirënjohjes dhe vlerësimit ndaj njerëzve që kanë kontribuar në rrugëtimin e studentëve, veçanërisht familjeve të tyre. “Jepini vlerë mirënjohjes dhe përuljes. Mirënjohjen tuaj e meritojnë ata që lodhen që ju të jeni të shplodhur, ata që qëndrojnë me mendje dhe zemër pas dyerve të auditorëve, ata që ju duan juve më shumë se veten e tyre. Urimet më të mira për ju, prindër”, përfi Sherif B. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Luarasi
