Ibraim Leimoeiv, një nga turistët francezë që ndodhej me grupin e miqve të tij në klubin “Principote” në Ksamil, ka dhënë dëshmi për momentet e para të konfliktit që më pas përfi me vdekjen e Luis Mendes.
Sipas dëshmisë së tij, situata nisi kur një person, të cilin fillimisht nuk e identifikoi me emër, iu afrua grupit dhe nisi t’i ofendonte. Leimoeiv tregon se i njëjti person goditi me kokë mikun e tij, Tourpal, duke bërë që situata të përshkallëzohej.
“Ishim të gjithë së bashku. Aty erdhi një person i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë gri me mëngë të shkurtra, i cili fliste pak frëngjisht. Ai na thotë qetësohuni ose do të q* nenën, ndërsa më pas goditi me kokë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt”, ka deklaruar ai.
Më tej, turisti francez përshkruan momentet kur në përleshje u përfshinë edhe persona të tjerë. Ai thotë se mes tyre dalloi një burrë me veshje në ngjyrë bezhë dhe të bardhë, me flokë të gjata gështenjë dhe pak mjekër. Sipas Leimoeiv, ky person fillimisht iu drejtua Tourpal me thikë dhe më pas Luis Mendes.
“Gjatë konfliktit erdhën edhe persona të tjerë. Kam parë një person të veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë, me flokë të gjata gështenjë dhe pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas Luis Miguel. Aty kishte shumë lëvizje dhe persona dhe nuk e pashë momentin kur goditi Luis Miguel. Më pas i dhashë ndihmën e parë shokut tim, duke i vendosur një bluzë mbi plagë”, ka rrëfyer ai.
Në vijim të dëshmisë, Leimoeiv është pyetur nëse do të mund të identifikonte personin që përdori thikën. Ai ka deklaruar se do ta dallonte nëse do t’i paraqitej.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, kur iu tregua fotografia e Sokrat Vatës, turisti francez e identifikoi atë si personin që kishte pasur thikën dhe që kishte goditur shokun e tij.
Ndërkohë, nga verifikimi i dëshmisë me të dhënat e bëra publike nga Policia e Shtetit dhe informacionet e publikuara gjatë ditëve të fundit, personi që dyshohet se ka nisur përplasjen është identifikuar si David Gjana, i cili rezulton i shpallur në kërkim nga policia.
Sipas grupit hetimor, ngjarja ka nisur rreth orës 05:15 të 18 gushtit 2026, në ambientet e “Principote” dhe më pas ka vijuar në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil. Hetimet kanë ngritur dyshimin se Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, ka përdorur një mjet prerës dhe ka goditur disa herë 20-vjeçarin portugez Luis Mendes. Në të njëjtën kohë, David Heurtevent, alias David Gjana, dyshohet se e ka goditur të riun me grushte.
Të dy janë vënë nën akuzë për “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”, ndërsa dëshmia e turistit francez konsiderohet një nga elementët e administruar në kuadër të hetimit për të rindërtuar dinamikën e përleshjes dhe rolin e personave të përfshirë.

