Një udhëtim kampingu në malet Altai të Rusisë është kthyer në një tragjedi të rëndë për një çift të ri. Snezhana Korolyova, 29 vjeçe, u sulmua brutalisht dhe u vra nga një ari i murrmë në fshatin Artybash, vetëm një ditë pasi i fejuari i saj i kishte propozuar për martesë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të natës, kur çifti u zgjua nga zhurmat jashtë çadrës. Kafsha e egër e shqeu çadrën dhe e tërhoqi zvarrë 29-vjeçaren, duke e mbytur dhe më pas e transportoi trupin e saj përtej lumit Biya.
Dëshmitarët në vendngjarje treguan se ariu refuzonte ta lëshonte viktimën. Një tjetër kampiste rrëfeu se motra e saj u përball me të njëjtin ari po atë natë, por arriti të shpëtonte falë ndërhyrjes së një shoferi që përdori dritat e makinës për ta trembur kafshën.
Trupi i 29-vjeçares u gjet më vonë në një zonë ku ariu e kishte varrosur. Policia dhe rojet e gjuetisë qëlluan në ajër për ta larguar përsëri kafshën, por nuk e ekzekutuan atë, me arsyetimin se në zonën e banuar kishte kufizime ligjore për përdorimin e armëve. Kafsha mbeti në arrati pas sulmit.
Pas tragjedisë, në fshatin Artybash u shpall gjendja e alarmit për 10 ditë. Banorët lokalë shprehin shqetësim të madh për praninë e rreth 20 arinjve që enden rregullisht pranë shtëpive të tyre. Sipas shoqatës lokale të gjuetarëve, shkurtimi i sezonit të gjuetisë ka çuar në rritjen e popullsisë së arinjve dhe afrimin e tyre rrezikshëm drejt zonave të banuara.

