Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesëpadinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe Bashkisë së Tiranës ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në çështjen që lidhej me emërimin e prokurorit Ols Dado.
Vendimi u shpall këtë të premte nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hazbi Balliu, i cili vendosi mospranimin për shqyrtim të padisë, me argumentin se paditësit nuk kishin legjitimitetin procedural të nevojshëm për të ndjekur këtë proces.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata vlerësoi se Erion Veliaj ka vetëm një interes të tërthortë në këtë çështje dhe jo një interes të drejtpërdrejtë, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka as interes të drejtpërdrejtë dhe as të tërthortë.
Po ashtu, gjykata rrëzoi edhe kërkesat e ish-prokurorit Tom Deda dhe të shoqatës “Asociacioni Kombëtar, Media dhe Drejtësi” për t'u përfshirë në proces si palë ndërhyrëse.
Pas shpalljes së vendimit, Veliaj reagoi shkurt para mediave duke deklaruar: "Vendimi dihej!"
Vendimi nuk është i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ta ankimojnë në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar me shkrim.
