Sqarim: ky status nuk ka si objekt mjekë të caktuar shqiptarë që promovojnë teori ende të papranuara shkencërisht lidhur me COVID-19, pavarësisht nga ngjashmëritë e pjesshme.
Prej vitesh qarkullon miti se gjatë pandemisë së COVID-it, mjekët që u ngritën kundër "establishmentit" u persekutuan, madje disa prej tyre u eliminuan në rrethana të dyshimta.
Si edhe në statuse të mëparshme, analizën e "vrasjeve", "zhdukjeve", "rrëmbimeve", apo "rrëzimeve të avionëve" ku udhëtonin mjekët e cilësuar "anti-establishment", ua lë me shumë dëshirë konspiracionistëve profesionistë.
Statusi ka për qëllim të analizojë kontributin real të mjekëve që u rreshtuan në anën e konspiracionistëve nga këndvështrimi im, si dhe të ballafaqojë faktet reale me ato të pretenduara.
Kolegët bluzëbardhë dhe publiku le ta gjykojë.
Ndërsa pjesa dërrmuese e rreth 15 milionë mjekëve që ka bota u dakordësuan me masat mbrojtëse gjatë pandemisë dhe u bënë zbatues të tyre, pati edhe mjekë që i kundërshtuan ato.
Kjo është normale!
Shkenca ecën jo vetëm bazuar mbi fakte dhe evidenca, por edhe mbi debat dhe hipoteza shkencore. Jo të gjithë mund të jenë dakord me gjithçka.
Por duhet bërë një ndarje e prerë!
Nga njëra anë, pati mjekë që kundërshtuan bazuar mbi njohuri dhe fakte të gjithëpranuar, duke kërkuar përmirësimin e protokolleve, rishikimin e masave dhe më tepër transparencë shkencore. Këtë e bënë në forume dhe institucione, aty ku debati mbetet brenda mureve të shkencës mjeksore dhe nuk i ofrohet në formë sensacioni publikut të gjerë, i cili nuk ka as arsimimin dhe as përvojën për të gjykuar mbi alternativat.
Nga ana tjetër, pati një kategori mjekësh që ngriti flamurin e “së vërtetës” duke u mbështetur tek njohuri dhe fakte tek të cilat shkenca mjeksore ende nuk e ka vendosur vulën e vet të pranueshmërisë.
Pikëpamje e këtyre kolegëve, profesionistët dhe institucionet shkencore mjeksore shpesh i cilësuan të pavërteta, të pambështetura në fakte dhe, në mjaft raste, të rrezikshme për pacientët.
Në vend që të vazhdonin diskutimin në forumet përkatëse, një pjesë e këtyre mjekëve zgjodhi t'i drejtohej drejtpërdrejt publikut të gjerë duke shkaktuar debat, konfuzion dhe, jo rrallë, edhe panik.
Shoqëria sigurisht reagoi për t'i bllokuar këto komunikime dhe këtu nisi miti i “martirëve të persekutuar”!
Sapo një mjek nuk gjente vend në forumet mjeksore, në mediat serioze ose kur profesionistët e tjerë i kundërshtonin publikisht pretendimet që ai ose ajo sillte, fillonte e njëjta histori:
“Po më ndalojnë!"
"Po më censurojnë!"
"Po më sulmojnë sepse po them të vërtetën!”.
Në fakt, nuk bëhej fjalë për persekutim, por për detyrën bazë të një sistemi shëndetësor.
Në të gjithë botën, institucionet e kanë për detyrë të ndalojnë përhapjen e informacioneve të rrezikshme, sidomos kur ato dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë e pacientëve!
Të mos i japësh mikrofon në dorë dikujt që pretendon se toka është e rrafshët nuk është censurë, por veprim logjik. Po kështu, të mos i japësh mikrofon një mjeku që promovon trajtime të rrezikshme apo që kundërshton trajtime të dobishme, nuk është persekutim, por mbrojtje e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve.
Sa më tepër profesionistët i kritikonin për mungesën e provave dhe evidencave, aq më shumë ushqehej miti i mjekëve "martirë" si luftëtarë kundër establishmentit duke krijuar një rreth të vërtetë vicioz!
E vërteta është shumë e thjeshtë!
Askush nuk u persekutua për mendime të bazuara në shkencë!
Mjekët konspiracionistë u kundërshtuan sepse, në emër të lirisë së fjalës, përhapën ide që cenuan sigurinë e pacientëve dhe vendosën në rrezik jetën e miliona qytetarëve!
Autoritetet mjeksore dhe jo mjeksore reaguan siç duhet të reagojnë, duke mbrojtur qytetarët!
Kjo nuk është as censurë, as luftë kundër së vërtetës! Përkundrazi Është mbrojtje e jetës dhe shëndetit!
Termat “martirë”, “heronj të së vërtetës”, “viktima të sistemit”, etj. janë krijime propagandistike që nuk kanë lidhje me shkencën e vërtetë.
Në kohën e pandemisë u përplasen ndër të tjera edhe dy botë brenda shkencës, bota e evidencës dhe bota e pseudo-evidencës. Bota e të vërtetave dhe bota e sajesave, fantazive të sëmura, shpesh të ekzagjeruara deri në grotesk!
Shkenca nuk ka nevojë për martirë të rremë. Shkenca mjekësore i ka mekanizmat e vetë të konsoliduar për të vlerësuar faktin, provën, metodologjinë, evidencën dhe përgjegjësinë ndaj pacientit, shëndetit dhe jetës!
Për të tjerat, ka rrjete sociale me shumicë dhe aty mjekët "martirë" mund të vazhdojnë të shkëlqejnë!/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

