Gazetari Osman Stafa, gjatë një ndërhyrjeje të fortë në emisionin “Minuta e Parë”, ka zbërthyer bilancin e protestave dhe ka goditur ashpër propagandën e kryeministrit Edi Rama, i cili pas 14 viteve në pushtet po përpiqet të shesë si sukses komunikimin më elementar të deputetëve me popullin. Stafa nënvizoi absurditetin e një sistemi që e ka shkëputur tërësisht pushtetin nga realiteti, duke e kthyer takimin e thjeshtë me qytetarin nga një detyrë kushtetuese në një “favor” politik. Në analizën e tij, gazetari vuri në dukje ndryshimin e reagimit të mazhorancës nën presionin e tubimeve popullore, ndërsa citoi absurditetin e pushtetit: “Ishim në një situatë ku deputetët nuk hapnin telefonin dhe tani merret si arritje që deputetët takojnë qytetarët. Pas 14 vitesh Rama shet si arritje që deputeti takon qytetarin.” Më tej, Stafa lëshoi një apel të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve shqiptarë për të braktisur tifozllëkun e verbër partiak që i ka mbajtur peng për më shumë se tri dekada, ndërsa regjimi dështon në plotësimin e nevojave më bazike jetike. “Ajo që dua t’u them qytetarëve është se në 36 vite ju kanë përçarë partitë politike duke ju bërë tifozë si për skuadra futbolli. Pro demokraci dhe futbolli nuk duhet të funksionojnë si tifozeri. Nuk mund t’ia besosh të ardhmen një tifozerie. Duhet ta dedikosh të ardhmen për njerëz jo të korruptuar, që e di se nëse u beson nuk të tradhtojnë duke të thënë ‘do sjellim ujë të pijshëm’ dhe pas 4 mandatesh akoma nuk ka ujë”, deklaroi prerazi Stafa. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
