Futbolli turk po përjeton një periudhë të jashtëzakonshme në merkato, me klubet e mëdha të Superligës që po shpenzojnë shifra të konsiderueshme për të afruar futbollistë të nivelit të lartë. Sipas një analize të publikuar nga La Gazzetta dello Sport, Turqia nuk është më thjesht destinacioni ku yjet e mëdhenj shkojnë në fundin e karrierës për të përfituar kontrata të majme. Sot, në kampionatin turk po transferohen lojtarë të nivelit të lartë që janë ende në kulmin e karrierës, shumë prej tyre nga Serie A.
Historia e yjeve të futbollit që zgjidhnin Turqinë për kontratat e fundit të mëdha nisi të bëhej veçanërisht e dukshme në vitin 2007, kur Roberto Carlos u transferua te Fenerbahçe. Braziliani, atëherë 34 vjeç dhe pasi kishte fituar gjithçka me Real Madridin, u prit në Stamboll nga mijëra tifozë.
Pas tij, në Turqi u transferuan emra të tjerë të mëdhenj si Didier Drogba, Wesley Sneijder dhe Robin van Persie, duke e kthyer Superligën në një destinacion të preferuar për futbollistët e njohur që kërkonin kontrata fitimprurëse.
Sot situata është ndryshe. Klubet e mëdha turke po investojnë shuma të konsiderueshme edhe për futbollistë që janë ende në moshë optimale për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit europian.
Analiza e medias italiane ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si klubet turke arrijnë të përballojnë këto shpenzime të mëdha në merkato.
Mes faktorëve të përmendur janë subvencionet institucionale, mbështetja shtetërore, aksionarët që janë njëkohësisht tifozë dhe lidhjet mes futbollit dhe politikës.
Një tjetër element që ka ndihmuar klubet turke në tërheqjen e futbollistëve të mëdhenj ka qenë edhe regjimi fiskal, i cili historikisht ka ofruar avantazhe për lojtarët që transferohen në vend.
Investimet e mëdha kanë bërë që klubet turke të jenë gjithnjë e më aktive në tregun europian dhe të konkurrojnë për futbollistë që më parë do të zgjidhnin kampionatet kryesore të kontinentit.
Megjithatë, shifrat e mëdha të shpenzuara ngrenë edhe pyetje mbi qëndrueshmërinë e këtij modeli financiar.
Sipas analizës së La Gazzetta dello Sport, bumi aktual i merkatos turke mund të jetë një “flluskë” financiare, e cila në një moment mund të përballet me probleme nëse investimet dhe të ardhurat nuk arrijnë të ruajnë të njëjtin ritëm.
Kështu, ndërsa klubet turke po tentojnë të afrohen gjithnjë e më shumë me elitën europiane përmes transferimeve spektakolare, mbetet një pyetje e madhe: sa gjatë mund të vazhdojë ky ritëm shpenzimesh dhe kush qëndron realisht pas parave që po derdhen në futbollin turk? Top Channel

