Projekti i autostradës Kashar-Rrogozhinë pritet te kaloje ne fazë ndërtimi brenda këtij viti, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e zbatimit, duke i hapur rrugë edhe procesit të shpronësimeve. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se tashmë janë përmbyllur diskutimet mbi mënyrën e lidhjes së aksit Kashar–Rrogozhinë me Bypass-in e Tiranës dhe se projekti është gati për zbatim. Sipas tij, ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit dhe ministria do të nisë menjëherë procedurat për shpronësimet, me synimin që punimet të fillojnë brenda vitit. Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vijim i aksit Thumanë-Kashar. Autostrada do të ketë një gjatësi prej 33.5 kilometrash dhe do të ndërtohet sipas kategorisë A, duke krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë veri-jug dhe duke synuar lehtësimin e trafikut në një nga korridoret më të ngarkuara të vendit, atë Tiranë-Durrës. Karakaçi e cilësoi projektin pjesë të një pakete investimesh strategjike në infrastrukturën rrugore, që synon përmirësimin e lidhjeve brenda vendit dhe integrimin më të mirë të Shqipërisë me rrjetin europian të transportit. Autostrada Kashar-Rrogozhinë është një nga segmentet kryesore të Korridorit Blu, me rëndësi për forcimin e lidhjes veri-jug dhe përmirësimin e aksesit të Shqipërisë drejt korridoreve europiane të transportit.
