13 MINUTA ME PARE Gjendje "lufte” te Ministria e Arsimit, ndërhyn policia; studentët zmbrapsen drejt qendrës Gjendje "lufte” te Ministria e Arsimit Tensione të forta përpara Ministrisë së Arsimit, ku protesta e studentëve është shoqëruar me përplasje me policinë. Përshkallëzohen tensionet te Ministria e Arsimit. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, duke i detyruar të zmbrapsen drejt qendrës së Tiranës. Përplasja u agravua pas goditjes së policisë me gurë dhe sende të tjera.
Protesta nisi që në orët e mëngjesit nga Kamza, ku gjimnazistët bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë me flamuj dhe thirrje kundër qeverisë. Më pas, grupe nxënësish dhe studentësh marshuan në Tiranë, duke kërkuar ndryshimin e sistemit politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tensionet e sotme vijnë pas protestës së 14 tetorit, gjatë së cilës pati përplasje të forta me policinë dhe sulme ndaj disa institucioneve shtetërore, përfshirë Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendit dhe disa ministri. 15 MINUTA ME PARE Tensione te Ministria e Arsimit, policia nis shoqërimin e protestuesve Tensione te Ministria e Arsimit, policia nis shoqërimin e protestuesve Policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve gjatë tubimit të studentëve dhe gjimnazistëve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, pas përshkallëzimit të tensioneve mes të rinjve dhe forcave të rendit.
Situata është tensionuar pasi efektivët e policisë kanë ndërhyrë duke përdorur ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues janë kundërpërgjigjur duke hedhur gurë në drejtim të tyre.
Përplasjet mes policisë dhe protestuesve kanë degjeneruar edhe në dhunë fizike, teksa disa efektivë kanë goditur protestuesit dhe i kanë tërhequr zvarrë. Pas përplasjeve, raportohet se policia ka nisur shoqërimin e protestuesve, ndërsa ende nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të shoqëruar. 15 MINUTA ME PARE Vlora i bashkohet protestës së studentëve, të rinjtë braktisin auditorët dhe dalin në bulevard Studentët në Vlorë Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve po zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Pas Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës, edhe studentët e Vlorës kanë nisur një marshim në mbështetje të protestës që po zhvillohet në kryeqytet.
Një grup studentësh kanë dalë nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Humane dhe janë nisur përgjatë bulevardit të Vlorës, duke u bërë thirrje studentëve të tjerë që t'i bashkohen tubimit.
“Bashkohuni me ne”, është një prej thirrjeve që të rinjtë po përsërisin gjatë marshimit, me synimin për të rritur pjesëmarrjen në protestë.
Sipas informacioneve të deritanishme, marshimi po zhvillohet në mënyrë paqësore dhe nuk raportohen incidente. Studentët pritet të vijojnë lëvizjen drejt Rektoratit Qendror të Universitetit të Vlorës, ku është parashikuar edhe mbërritja e marshimit.
Ndërkohë, kujtojmë se protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa mobilizimi është shtrirë edhe në Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër.
Në kryeqytet, të rinjtë kanë bojkotuar mësimin dhe janë grumbulluar pranë institucioneve, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Kuvendin.
Përfshirja e studentëve të Vlorës shënon zgjerimin e mëtejshëm të protestave, ndërsa mbetet për t'u parë si do të vijojnë tubimet gjatë ditës. 17 MINUTA ME PARE Thellohet kriza nga protesta, bankat mbyllin degët në Tiranë Dëmet nga protesta e djeshme Përshkallëzimi i protestave në qendër të kryeqytetit ka sjellë masa të jashtëzakonshme në sektorin bankar.
Sipas burimeve të raportuara nga Kapitali, bankat e nivelit të dytë kanë udhëzuar stafin e degëve që ndodhen brenda Unazës së Vogël të ndërpresë shërbimin ndaj klientëve dhe të largohet nga ambientet e punës.
Vendimi është marrë, sipas burimeve nga sektori bankar, për të minimizuar rreziqet ndaj punonjësve dhe për të mbrojtur objektet e institucionet financiare nga dëmtimet e mundshme në kushtet e tensionit të krijuar në qendër të Tiranës.
Pezullimi i përkohshëm i aktivitetit prek një zonë me rëndësi të veçantë për shërbimet financiare dhe aktivitetin tregtar të kryeqytetit. Ndërprerja e sporteleve mund të krijojë vështirësi për qytetarët që kanë nevojë për shërbime bankare fizike, si dhe për bizneset që mbështeten te kryerja e pagesave dhe operacioneve të përditshme.
Përtej ndikimit të menjëhershëm te klientët, zhvillimi ngre pikëpyetje mbi vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore në kushtet e protestave dhe trazirave urbane. Funksionimi normal i institucioneve financiare varet jo vetëm nga infrastruktura dhe organizimi i brendshëm i tyre, por edhe nga garantimi i sigurisë publike dhe i aksesit të lirë në zonat ku ushtrojnë aktivitetin.
Në aspektin ekonomik, ndërprerjet e tilla mund të sjellin vonesa në transaksione, vështirësi në administrimin e likuiditetit për bizneset dhe kosto shtesë për subjektet që varen nga shërbimet në degë. Nëse situata zgjatet ose përsëritet, ndikimi mund të shtrihet edhe te besimi i konsumatorëve dhe perceptimi i bizneseve për sigurinë e ushtrimit të aktivitetit ekonomik.
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me klimën e investimeve. Stabiliteti institucional, siguria e pronës dhe parashikueshmëria e mjedisit të biznesit janë ndër faktorët që merren në konsideratë nga investitorët. Ndërprerja e shërbimeve financiare për arsye sigurie nuk përbën, në vetvete, provë për një krizë të përgjithshme ekonomike, por evidenton kostot që situatat e tensionuara mund t'u imponojnë operatorëve ekonomikë dhe qytetarëve.
Në këtë kontekst, aftësia e autoriteteve për të menaxhuar protestat, për të parandaluar aktet e dhunës dhe për të garantuar funksionimin e shërbimeve thelbësore merr rëndësi të veçantë. Rikthimi i aktivitetit bankar në normalitet do të varet nga zhvillimi i situatës së sigurisë dhe nga vlerësimi i rrezikut për personelin dhe ambientet e bankave.
Deri në një konfirmim zyrtar mbi shtrirjen e masës dhe kohëzgjatjen e saj, mbetet e paqartë se kur degët e prekura do të rifillojnë shërbimin e zakonshëm ndaj klientëve. 27 MINUTA ME PARE Protesta e studentëve në Tiranë, Gjykata e Apelit shqyrton shtyrjen e seancave gjyqësore Protesta e studentëve në Tiranë ka krijuar një situatë që mund të ndikojë në zhvillimin e seancave gjyqësore në Gjykatën e Apelit.
Sipas gazetares Anila Hoxha, në institucion po shqyrtohet mundësia e shtyrjes së një pjese të seancave të parashikuara për sot, 15 tetor.
Aktualisht, proceset gjyqësore po vijojnë për qytetarët që janë paraqitur në gjykatë, ndërsa për seancat e tjera ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Diskutimi për ndryshimin e kalendarit të seancave vjen në një kohë kur studentë dhe gjimnazistë kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur në disa zona të kryeqytetit.
Në protestë janë përfshirë edhe nxënës të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, të cilët kanë dalë jashtë ambienteve të shkollës dhe u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve t'i bashkohen bojkotit. Disa prej tyre kanë vendosur kosha mbeturinash përpara portës së shkollës.
Ndërkohë, grupe të rinjsh janë mbledhur edhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit, ndërsa disa protestues kanë paralajmëruar marshim drejt Parlamentit.
Për sa i përket Gjykatës së Apelit, mbetet për t'u parë nëse do të vendoset shtyrja e seancave të tjera dhe si do të njoftohen palët e përfshira në proceset gjyqësore. 27 MINUTA ME PARE Përshkallëzohet protesta në Korçë, studentët dhe gjimnazistët sulmojnë Drejtorinë e Arsimit Përshkallëzohet protesta në Korçë Studentët dhe gjimnazistët në Korçë kanë sulmuar Drejtorinë e Arsimit.Po ashtu në shenjë revolte nxënësit kanë thyer xhamat e gjimnazit "Raqi Qirinxhi". Sipas informacioneve paraprake, drejtuesit e institucionit nuk i kishin lejuar nxënësit të dilnin nga shkolla. Për këtë arsye, gjimnazistët e tjerë kanë ndërhyrë duke thyer derën, në mënyrë që bashkëmoshatarët e tyre të mund të dilnin dhe t’i bashkoheshin protestës.
Protesta në qytetin juglindor pason atë të Tiranës, ku dje u sulmua Ministria e Arsimit dhe një sërë institucionesh publike dhe biznese private.
Pjesa dërrmuese e studentëve dhe gjimnazistëve në Korçë nuk u paraqitën sot në auditorë, në mbështetje të protestës së zhvilluar në kryeqytet.
Ndërkohë në Tiranë, studentët dhe të rinjtë e kanë nisur më herët protestën, që është në ditën e tretë të saj. Seanca e programuar për t’u mbajtur këtë të enjte në Kuvend u anulua, pasi ishte paralajmëruar rrethimi i godinës nga protestuesit.
Ndërkohë, një grup i madh të rinjsh është parë duke marshuar në Rrugën e Elbasanit, duke u bërë thirrje gjimnazistëve të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, si dhe studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe atij të Ekonomisë, që t’i bashkohen. 28 MINUTA ME PARE Salianji mbështet protestën e të rinjve: Rama të japë dorëheqjen, çdo ditë në pushtet e thellon krizën Salianji Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me protestat e studentëve dhe gjimnazistëve në vend, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Salianji ka shprehur mbështetjen për të rinjtë që kanë dalë në protesta, duke i cilësuar ata si një nga grupet më të shpërfillura dhe të përjashtuara nga vendimmarrja gjatë qeverisjes aktuale.
Ish-deputeti demokrat ka akuzuar qeverinë për korrupsion, keqqeverisje, varfëri dhe mungesë meritokracie, duke theksuar se këto problematika kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën dhe të ardhmen e të rinjve.
Sipas tij, vijimi i qëndrimit të Ramës në pushtet, pavarësisht protestave dhe pakënaqësisë së shprehur nga qytetarët, rrezikon të përkeqësojë më tej situatën në vend.
Salianji ka kritikuar gjithashtu atë që e konsideron përdorim të dhunës dhe forcës për të ruajtur pushtetin, duke paralajmëruar se një qasje e tillë vetëm sa do të thellojë krizën dhe do të shtojë kostot për vendin.
"Gjimnazistët dhe studentët, kategoria më e përjashtuar nga kjo qeverisje, më të braktisurit, të përçmuarit dhe të mënjanuarit nga çdo vendimmarrje, të goditur nga varfëria që ushqejnë korrupsioni dhe keqqeverisja, nga padrejtësitë, mungesa e meritës dhe promovimi i krimit e i paaftësisë, kanë marrë në dorë sovranitetin në qytete, rrugë dhe sheshe.Edi Rama duhet të japë dorëheqjen!
Çdo ditë që insiston të qëndrojë në pushtet përmes dhunës dhe forcës, duke shpërfillur zërin e qytetarëve, e thellon krizën, rrit kostot dhe dëmton Shqipërinë.", shkruan Salianji. 30 MINUTA ME PARE Protesta studentore anuloi seancën plenare, Kuvendi njofton datën e re Kuvendi Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas anulimit të seancës plenare të planifikuar për sot, për shkak të protestës studentore që vijon prej tri ditësh në kryeqytet.
Përmes një njoftimi zyrtar, Kuvendi ka bërë të ditur se deputetët do të mblidhen të enjten e ardhshme, më 22 tetor, në orën 10:00, ndërsa rendi i ditës do të mbetet i pandryshuar.
Vendimi është marrë në zbatim të urdhrit nr. 63, datë 15 tetor 2026, të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Shtyrja e seancës erdhi nga frika se protestat do përshkallëzohet dhe do kishte dhunë. “Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për t’u zhvilluar sot, më datë 15.10.2026, do të zhvillohet ditën e enjte, datë 22.10.2026, në orën 10:00, me të njëjtin rend dite, në zbatim të Urdhrit nr. 63, datë 15.10.2026, të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi.
Procedurat e transmetimit do të jenë të njëjta me ato të seancave plenare të mëparshme.”-njofton Kuvendi.
Ndërkohë, protesta ka nisur që në mëngjes, ku studentëve u janë bashkuar gjimnazistët, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë duke kërkuar ndryshimin e sistemit politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. 41 MINUTA ME PARE Të rinjtë e Korçës në protestë, nxënësit shkatërrojnë derën e gjimnazit, sinjalistikën e rrugëve dhe trotuaret Të rinjtë e Korçës në protestë Korça i bashkohet protestës!
Gjimnazistët kanë shqyer derën e shkollës së mesme “Themistokli Gërmenji”, me qëllim lirimin e nxënësve që ndodheshin brenda godinës dhe që kërkonin t’i bashkoheshin protestës. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesit e institucionit nuk i kishin lejuar nxënësit të dilnin nga shkolla. Për këtë arsye, gjimnazistët e tjerë kanë ndërhyrë duke thyer derën, në mënyrë që bashkëmoshatarët e tyre të mund të dilnin dhe t’i bashkoheshin protestës.
Ata kanë dalë në rrugë dhe në shenjë rebelimi kanë shkatërruar sinjalistikën e rrugëve dhe trotuaret.
Ndërkohë një grup protestuesish është përballur me forcat policore sapo kanë mbërritur te Ministria e Arsimit. Policia është bërë gardh duke mos i lejuar t’i afrohen godinës qeveritare duke hedhur në drejtim të studentëve tymues e gaz lotsjellës. Uniformat blu kanë bërë dhe shoqërimet e para. 44 MINUTA ME PARE Skenari i protestës, studentët do mblidhen sërish te Ministria e Arsimit Foto ilustruese Zbardhet skenari i protestës së sotme të studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë. Protestuesit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, ku do nisin sërish aty tubimin. Grupe studentësh dhe gjimnazistësh vijojnë lëvizjen në rrugët e kryeqytetit, ndërsa destinacioni i tyre pritet të jetë godina e Ministrisë së Arsimit.
Në zonën përreth ministrisë janë pozicionuar forca policie, në një kohë kur autoritetet po ndjekin zhvillimet pas përplasjeve të dhunshme që shoqëruan protestën e një dite më parë.
Protesta e sotme nisi nga Kamza, ku gjimnazistët bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë me flamuj dhe thirrjen “Të gjithë së bashku!”. Më pas, tubimet u shtrinë edhe në Tiranë, ku nxënësit iu bashkuan studentëve në kërkesat për ndryshimin e sistemit politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë paradites, Forcat Shqiponja ndërhynë për të shpërndarë grupe gjimnazistësh që po protestonin në rrugët e kryeqytetit. Zhvillimet e sotme vijnë pas protestës së djeshme, gjatë së cilës pati përplasje të forta me policinë dhe sulme ndaj disa institucioneve shtetërore, përfshirë Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendit dhe disa ministri.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur vendosjen e blloqeve me tulla përpara Kryeministrisë, duke shtuar masat e sigurisë pas incidenteve të djeshme. 45 MINUTA ME PARE Përshkallëzohet protesta te Ministria e Arsimit, nisin përplasjet mes policisë dhe studentëve; hidhet gaz lotsjellës Përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë janë regjistruar këtë të mërkurë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Gjatë tensioneve, policia ka përdorur spraj me piper dhe gaz lotsjellës ndaj nxënësve dhe të rinjve që po protestojnë.
Ndërkohë, raportohet se kanë nisur edhe shoqërimet me forcë të disa protestuesve nga efektivët e policisë.
Tensionet vijnë në ditën e tretë të protestës studentore, ndërsa situata para Parlamentit dhe në zonat përreth mbetet e tensionuar. Protesta e sotme vjen në vijim të mobilizimit të nxënësve dhe studentëve kundër qeverisë, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugët e kryeqytetit. Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, të rinjtë kanë marshuar në zona të ndryshme të Tiranës, duke kërkuar edhe bashkimin e bashkëmoshatarëve të tyre.
Protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku gjimnazistë dhe studentë kanë ndërprerë mësimin në shenjë solidariteti me protestuesit në kryeqytet. 46 MINUTA ME PARE “Do ta djegim Parlamentin”, studenti: Me këto çmime të larta dhe paga të ulëta nuk ia dalim dot! Studentet para Ministrise se Arsimit Çmimet e larta, pagat e ulëta dhe vështirësitë për të siguruar jetesën janë disa nga arsyet që kanë shtyrë një gjimnazist të Shkollës Profesionale t'i bashkohet protestës së të rinjve në Tiranë.
Në një prononcim për "News 24", nxënësi tregoi se ndjek vitin e katërt të shkollës dhe se është detyruar të punojë vazhdimisht për të përballuar nevojat ekonomike.
“Unë jam gjimnazist, viti i katërt. Kam punuar vetë gjithmonë, se nuk ia dalim dot. Çdo gjë varet nga çmimet e larta, rrogat e ulëta. Do të jetoj në Shqipëri vetëm nëse ikën Edi Rama”, deklaroi ai.
Gjimnazisti u ndal edhe te situata ekonomike e punonjësve të policisë, duke u bërë thirrje që të mbështesin protestuesit. Sipas tij, të ardhurat e ulëta e bëjnë të vështirë përballimin e shpenzimeve familjare.
I pyetur për vijimin e protestës, gjimnazisti u shpreh se fillimisht do të bojkotojnë mësimin dhe më pas do të marshojnë drejt Kuvendit. Gjatë deklaratës së tij, ai përdori edhe gjuhë kërcënuese, duke thënë se synojnë t’i vënë flakën godinës së Parlamentit.
“Drejtimin e kemi që të bojkotojmë mësimin dhe më pas drejt Parlamentit, do ta djegim! Edhe këta policët të na ndihmojnë, se kanë fëmijët për të ushqyer. Me çfarë do ta mbajnë familjen me 300 mijë lekë? Me çfarë do të ushqehen?”, u shpreh studenti. 47 MINUTA ME PARE Ndalimi i studentëve gjatë protestave, Koçeku kritikon mazhorancën: Të lirohen sa më parë të rinjtë Pamje nga protesta në Tiranë Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar për ndalimin e të rinjve gjatë protestave të fundit, duke kritikuar veprimet e mazhorancës socialiste dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të studentëve të ndaluar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku ka ngritur shqetësimin për atë që e cilëson si një qëndrim kontradiktor të mazhorancës lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale dhe mënyrën e trajtimit të protestuesve.
Sipas deputetes, ndërsa shumica socialiste argumenton nevojën për ndryshime ligjore me mbipopullimin e burgjeve, nga ana tjetër vijojnë ndalimet dhe shoqërimet e të rinjve në polici gjatë protestave.
Koçeku ka kritikuar këtë qasje, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si autoritetet po veprojnë ndaj studentëve që marrin pjesë në tubime.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të lirojnë sa më shpejt të rinjtë e ndaluar, duke paralajmëruar se situata e krijuar po ndikon negativisht në jetën publike të vendit.
Në reagimin e saj, deputetja e pavarur ka shprehur gjithashtu kritika ndaj qeverisë për mënyrën e trajtimit të protestave dhe çështjeve që lidhen me drejtësinë.
"Para pak javësh e hartuen projektligjin për me ua lehtësu paraburgimin të akuzuemve për krim e korrupsion: “s’ka vend në qeli”, thanë. Tash vendet dolën prej hiçit, për me i mbushë me studentë. Kini parasysh se me studentët e ngujuem, krejt Shqipnia ndihet e ngujueme. Lirojini sa ma parë!", shkruan Koçeku. 51 MINUTA ME PARE "Nuk jeni te protesta sot, paskeni shpëtuar?”/ Monika Kryemadhi nga SPAK: Paskan bërë namin Monika Kryemadhi Monika Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK, në kuadër të masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Teksa futej në ampientet e Prokurosisë së Posaçme, Kryemadhi shkëmbeu disa batuta me kameramanët e televizioneve.
Kryemadhi u është drejtuar kameramanëve: Nuk jeni te protesta sot, paskeni shpëtuar?”. Më tej Kryemadhi komentoi protestën e dhunshme që ka paralizuar Tiranën prej dy ditësh.
“Kam adhurim për protestat, por ja, shoqëri civile tani çfarë të bëjmë. Po namin kishin bërë, kanë shkuar andej nga Ekonomiku, kur erdha në mëngjes s’kishin dalë akoma këta të Samiut”, shprehet ajo. 53 MINUTA ME PARE Protesta “mbyll” Parlamentin, PD mbledh me urgjencë grupin parlamentar në selinë blu PD mbledh me urgjencë grupin parlamentar në selinë blu Pas anulimit të seancës plenare të Kuvendit, Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar në selinë blu për të diskutuar mbi situatën politike dhe zhvillimet e fundit në vend.
Mbledhja zhvillohet në ditën e tretë të protestave, pas përplasjeve të regjistruara në Tiranë dhe në qytete të tjera, ndërsa studentët kanë bojkotuar mësimin në disa universitete të vendit.
Anulimi i seancës plenare, e parashikuar të niste në orën 10:00, u njoftua rreth një orë para fillimit të saj. Ndërkohë, përpara Kuvendit pritej të zhvillohej një protestë e studentëve.
Pritet që në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat të diskutohet qëndrimi i opozitës për situatën e krijuar dhe hapat e mëtejshëm politikë.
Studentë dhe gjimnazistë në kryeqytet, por dhe në rrethe kanë bojkotuar mësimin dhe kanë vazhduar revoltën e tyre në ditën e tretë.
Në rrugët e Tiranës dhe në disa qytete të vendit studentët kanë nisur marshimin, duke djegur kosha, shkulin kangjella dhe hedhin lëndë piroteknike. Ditën e djeshme, prej orës 11:30 e deri në orët e vona të mbrëmjes Tirana ishte në gjendje lufte. Protestuesit dogjën institucione shtetërore dhe biznese private.
Protesta sot ishte paralajmëruar për të nisur te Parlamenti, por seanca plenare u anulua për të shmangur incidentet. Nuk dihet se çfarë drejtimi do të marrë tubimi sot pasi nuk ka një skenar të mirëfilltë. 56 MINUTA ME PARE Protesta në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: 89 të lënduar, 3 persona pritet t’i nënshtrohen operacionit Pamje nga protesta e studentëve në Tiranë Ministria e Shëndetësisë ka publikuar të dhënat mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së djeshme.
Sipas bilancit zyrtar, 89 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa 6 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në spital.
Nga të dhënat e bëra publike, 79 persona janë trajtuar në Spitalin Universitar të Traumës, mes të cilëve 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues. Ndërkohë, 10 persona të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT.
Aktualisht, në Spitalin e Traumës vijojnë të jenë të shtruar 4 punonjës policie dhe 2 protestues, të cilët ndodhen nën kujdesin e stafit mjekësor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një protestues dhe dy efektivë policie pritet t'u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Të tre janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Personat e tjerë që kanë marrë ndihmë në Spitalin e Traumës janë larguar pas trajtimit të nevojshëm, në përputhje me rekomandimet e mjekëve.
Sa i përket QSUT-së, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas ekzaminimeve dhe marrjes së ndihmës mjekësore, të gjithë janë larguar nga spitali.
Ministria e Shëndetësisë konfirmon se aktualisht në QSUT nuk ka asnjë person të lënduar nga protesta që vijon të marrë trajtim spitalor.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë protestës së djeshme kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT.
Në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht ndodhen 4 efektivë policie dhe 2 protestues të shtruar në spital, të cilët do të vijojnë të jenë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Ndërsa të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, pas marrjes së kujdesit mjekësor, sipas këshillave të mjekut.
Në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.
Aktualisht, nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT.
Në SUT priten t’i nënshtrohen ndërhyrjes një protestues si dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore. 59 MINUTA ME PARE Gjimnazistët e “Petro Ninit” i bashkohen protestës, vendosin kosha mbeturinash para shkollës Bojkoti te gjimnazi "Petro Nini Luarasi" Protestat e të rinjve në Tiranë vijojnë edhe këtë të enjte, ndërsa bojkotit të procesit mësimor i janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Siç shihet nga pamjet, një numër i madh gjimnazistësh kanë dalë jashtë rrethimit të shkollës, duke bërë thirrje që edhe nxënësit e tjerë të ndërpresin mësimin dhe t'i bashkohen protestës.
Gjatë tubimit, disa prej të rinjve kanë vendosur kosha mbeturinash përpara portës së shkollës, ndërsa kanë vijuar thirrjet për bojkot. Deri më tani, në këtë shkollë nuk raportohen incidente të tjera.
Ndërkohë, protesta po vijon edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku studentë dhe gjimnazistë janë mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit dhe godinës së Kuvendit.
Mobilizimi i të rinjve vjen në ditën e tretë të protestave në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me bojkot të mësimit, marshime në rrugët e qytetit dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Elbasanin, Korçën dhe Kamzën, ku gjimnazistë kanë dalë në rrugë për t'iu bashkuar tubimeve. 1 ORE ME PARE Frika nga përshkallëzimi i protestës, nis “fortifikimi” i Kryeministrisë Vendosen tulla te Kryeministria Ka nisur “fortifikimi” i Kryeministrisë në Tiranë, pasi protesta studentore rrezikon të përshkallëzohet. Mëngjesin e sotëm, pranë godinës së qeverisë janë vendosut blloqe me tulla, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë.
Vendosja e këtyre blloqeve vjen pas kaosit të djeshëm, kur protestuesit shënjestruan Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendit, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Gjatë tubimit pati edhe sulme ndaj bizneseve private, si dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Por ndërsa autoritetet po marrin masa për të mbrojtur godinën e qeverisë, protesta e të rinjve vijon edhe sot, duke përfshirë një numër më të madh gjimnazistësh.
Që në orët e mëngjesit, nxënësit e shkollave të mesme dhe fakulteteve bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë me flamuj dhe thirrjen “Të gjithë së bashku!”. Më pas, protesta u shtri edhe në rrugët e Tiranës, ku kërkuan ndryshimin e sistemit politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në disa momente, Forcat Shqiponja ndërhynë për të shpërndarë nxënësit që po protestonin në kryeqytet. 1 ORE ME PARE Studenti ngre shqetësimin në protestë: Rreth 300 të huaj të strehuar në konvikte, ne s'kemi të ardhme këtu Mes studentëve dhe gjimnazistëve që kanë bojkotuar mësimin për të protestuar në Tiranë, një i ri ka folur për vështirësitë me të cilat përballet brezi i ri në Shqipëri.
Studenti i Institutit ka folur lidhur me mungesën e perspektivës dhe emigrimin, teksa tha se shumë të rinj e shohin largimin nga vendi si të vetmen mundësi për të ndërtuar të ardhmen.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për praninë e shtetasve të huaj në universitetet dhe konviktet shqiptare, duke e lidhur këtë fenomen me rënien e lindshmërisë dhe largimin e të rinjve shqiptarë.
“Universitetet po mbushen me bangladeshas, me të huaj, pasi lindshmëria është ulur. Ne nuk krijojmë dot të ardhmen në këtë vend dhe detyrohemi të largohemi. Konviktet janë plot me shtetas afrikanë. Mund të jenë rreth 300 persona të strehuar nëpër konvikte”, u shpreh studenti për "News 24". 1 ORE ME PARE Protestuesit bllokojnë Rrugën e Elbasanit, djegin koshat dhe bëjnë thirrje për bojkot të mësimit Momente tensioni janë regjistruar gjatë marshimit të protestuesve në Rrugën e Elbasanit, në Tiranë, ku disa prej studentëve kanë djegur kosha mbeturinash në mes të rrugës dhe kanë shkulur tabela të sinjalistikës rrugore.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në njërin kah, duke penguar lëvizjen normale të trafikut.
Një pjesë e tyre janë ndalur edhe pranë shkollës së Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, ku u kanë bërë thirrje nxënësve të braktisin mësimin dhe t'i bashkohen protestës.
Incidentet janë regjistruar gjatë mobilizimit të të rinjve në kryeqytet, ndërsa protesta është shoqëruar me thirrje për bojkotimin e procesit mësimor. 1 ORE ME PARE Tirana në gjendje lufte, reagon Brukseli: Ndalni dhunën, dialogu është e vetmja rrugë! Në mesazhin e saj, BE-ja kërkon gjithashtu që palët të angazhohen në dialog konstruktiv, duke e konsideruar atë rrugën e vetme për të adresuar shqetësimet legjitime. Pamjet nga protesta e djeshme Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës, duke dënuar aktet e dhunshme dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Përmes një mesazhi publik, BE u bën thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.
Përfaqësia e BE-së thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, ndërsa nënvizon se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane.
Sipas ambasadës, këto të drejta duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore, duke shmangur përplasjet dhe aktet që cenojnë sigurinë publike dhe pronën.
Në mesazhin e saj, BE-ja kërkon gjithashtu që palët të angazhohen në dialog konstruktiv, duke e konsideruar atë rrugën e vetme për të adresuar shqetësimet legjitime.
“Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, thekson Ambasada e BE-së në Tiranë. Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime. — We strongly condemn the violent escalation at the protest and the destruction of public and private property. We call on protestors to exercise restraint and to refrain from any acts of violence. Violence has no place in democracies. Freedom of assembly and expression are fundamental rights and core European values. They should be respected and exercised peacefully. Constructive dialogue between all stakeholders is the only way forward to address genuine grievances.
— EU in Albania (@EUinAlbania) October 15, 2026 Reagimi vjen në një klimë tensionesh politike dhe protestash, ku përplasjet dhe aktet e dhunës rikthejnë në vëmendje debatin mbi kufijtë e protestës, përgjegjësinë e organizatorëve dhe respektimin e së drejtës për tubim paqësor.
Ndërkohë pas protestës së dhunshme që prej dy ditësh ka paralizuar kryeqytetin, seanca plenare e parashikuar të mbahej ditën e sotme në orën 10:00 është anuluar.
Deputetët e PS që kishin mbërritur në parlament janë larguar nga frika e protestuesve.
Gjatë protestave janë shkaktuar dëmtime të infrastrukturës rrugore, përfshirë semaforë, tabela dhe reklama në rrugë. Në shënjestër të protestuesve kanë qenë edhe institucione shtetërore, disa prej të cilave janë përfshirë nga flakët. 1 ORE ME PARE Protesta merr hov në Tiranë, studentët e Filologjikut lënë auditorët dhe dalin në rrugë: Rama, jepe dorëheqjen! Studentët e Filologjikut Studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe i janë bashkuar protestës kundër qeverisë, duke lënë auditorët për të marshuar në rrugët e kryeqytetit.
Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, studentët e Filologjikut janë bashkuar me gjimnazistët dhe studentët e fakulteteve të tjera, të cilët po vijojnë protestën në Tiranë.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë kaluar në rrugën e Elbasanit, ku për disa minuta është bllokuar qarkullimi i automjeteve në njërin kah.
Situata është shoqëruar edhe me incidente, pasi disa protestues kanë shkulur tabela të sinjalistikës rrugore dhe u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në mes të rrugës. Të rinjtë janë ndalur gjithashtu pranë shkollës së Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, ku u kanë bërë thirrje nxënësve të bojkotojnë mësimin dhe t'i bashkohen protestës.
Ndërkohë, mijëra gjimnazistë kanë lënë bankat e shkollës dhe kanë nisur marshimet në zona të ndryshme të kryeqytetit. Një pjesë e tyre kanë kaluar përpara Parlamentit, duke vijuar drejt rrugës së Elbasanit, ndërsa një grup tjetër ka marshuar nga Pazari i Ri në drejtim të rrugës “Hoxha Tahsin”.
Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve po shtrihet edhe jashtë Tiranës, me bojkot të mësimit dhe tubime në qytete të tjera të vendit. 1 ORE ME PARE Studentët “zaptojnë” rrugët e Tiranës, ndërhyjnë Forcat Shqiponja Forcat Shqiponja Forcat Shqiponja kanë ndërhyrë për të shpërndarë gjimnazistët dhe studentët që kanë dalë në protestë kundër kastës politike. Ndërhyrja e policisë ka ardhur pasi nxënësit e shkollave të mesme janë grumbulluar në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Protesta e kësaj të enjteje nisi nga Kamza, ku gjimnazistët bojkotuan masivisht mësimin dhe dolën në rrugë me flamuj, ovacione dhe thirrjen “Të gjithë së bashku!”.
Më pas, protesta u shtri edhe në Tiranë, ku krahas studentëve u bashkuan edhe nxënës të shkollave të mesme. Ata kërkojnë ndryshimin e sistemit politik dhe dorëheqjen e kryeministrit.
Por ndërsa gjimnazistët vijonin tubimin, në terren ndërhynë Forcat Shqiponja, me qëllim shpërndarjen e tyre. Deri tani nuk ka informacione për persona të ndaluar apo të lënduar gjatë ndërhyrjes. protesta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana në “gjendje lufte”, dhuna, kaosi dhe revolta pushtojnë kryeqytetin! 14 Tetor 2026, 18:3318:33LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Studentët ndezin sërish flakë Tiranën, gurë, ujë, gaz lotsjellës dhe përplasje me policinë 14 Tetor 2026, 15:0315:03LIVE UPDATES Minutë pas minute/ "Shpërthen" revolucioni studentor, mijëra persona në këmbë kundër kastës politike 14 Tetor 2026, 11:4711:47LIVE UPDATES Shpërthen revolta e studentëve, tensione dhe përplasje te Ministria e Arsimit; ndërhyn policia, 23 të shoqëruar 13 Tetor 2026, 14:5014:50LIVE UPDATES Tym, flakë dhe gaz: Kosova sërish në vorbullën e krizës 5 Tetor 2026, 22:0022:00LIVE UPDATES “Të Pashoq”/ Historia "Vlora-Gysi" dhe fati i Edi Ramës! 30 Shtator 2026, 21:2521:25LIVE UPDATES

