Ministria e Shëndetësisë ka bërë një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës. Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore, bën me dije MSH. Ndërkohë, efektivi F.R., i ardhur nga Shkodra, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë. Në të njëjtin spital po marrin trajtim mjekësor edhe katër protestues, të cilët paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas të dhënave paraprake, protestuesja me inicialet E.P. ndodhet nën monitorim intensiv. Ajo është e vetëdijshme dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore. Sa i përket Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, bëhet e ditur se aktualisht nuk ka persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor në këtë institucion.
