Dy shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë shpallur persona të padëshiruar nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, pasi dyshohet se kanë kryer veprimtari që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Pas propozimit të Drejtorisë së Antiterrorit, në listën e personave “non grata” janë futur imami Bekir Halimi dhe analisti e ish-aktivisti politik Valon (Valjon) Belja.
Bekir Halimi është përjashtuar në vitin 2016 nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut pas përplasjeve me drejtuesit e këtij institucioni. Ndërsa Valon Belja është i njohur për angazhimin e tij politik dhe komentet mbi zhvillimet në rajon, si dhe ka mbajtur më herët postin e shefit të kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.
Vendimi është marrë pas informacioneve të Antiterrorit, sipas të cilave dy personat përbënin rrezik për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Urdhri i ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i është dërguar Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit për zbatim. Më herët, Shqipëria kishte shpallur “non grata” edhe shtetasen nga Kosova, Ikballe Huduti.

