Lajme Zone
Mijëra spanjollë në protesta/ Pedro Sanchez jep dorëheqjen, Spanja shkon në zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Mijëra spanjollë në protesta/ Pedro Sanchez jep dorëheqjen, Spanja shkon në zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dha dorëheqjen dhe shpalli zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor, në kulmin e protestave për krizën e strehimit. Sánchez pranoi pakënaqësitë dhe gabimet e qeverisë. Opozita e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo përshëndeti vendimin, ndërsa sondazhet nxjerrin Partinë Popullore përpara socialistëve.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka dhënë dorëheqjen dhe ka njoftuar zgjedhje të reja më 29 nëntor. Njoftimi u bë gjatë një fjalimi drejtuar kombit, të transmetuar drejtpërdrejt në televizion nga Pallati Moncloa. Sánchez, 54 vjeç, është kryeministër që prej vitit 2018 dhe një prej liderëve europianë me qëndrimin më të gjatë në pushtet. Sipas El País, kryeministri e kishte informuar që pasditen e një dite më parë mbretin Felipe VI për vendimin e tij. “Kemi bërë gjithçka që mundëm për të mbrojtur interesat e spanjollëve”, tha Sánchez, teksa bëri një bilanc të qeverisjes së tij. Gjatë mandatit të tij, sipas Sánchez, “është ulur pabarazia”, ndërsa ekonomia spanjolle “ka qenë ajo që është rritur më shumë në Europë”. “Sot ka pakënaqësi dhe edhe ne kemi bërë gabime”, pranoi Sánchez. “Ka shumë gjëra që duhen korrigjuar. Për të bërë më shumë kemi nevojë për qytetarët, por duhet të kemi një shumicë më të gjerë në Parlament. Për këtë arsye, pasi informova kreun e shtetit, kam vendosur të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave për të shpallur zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen më 29 nëntor. Ka ardhur momenti që spanjollët të vendosin se çfarë të ardhmeje duan për vendin.” LEXO EDHE:Dueti mes Dua Lipës dhe Shakirës në Madrid, artistja kolumbiane shpreh admirimin për këngëtaren shqiptare: Ëndërr e bërë realitet (VIDEO) Qeveria spanjolle “ka miratuar masa të guximshme për të mbrojtur të drejtën kushtetuese për akses në strehim”, vijoi Sánchez. “Jemi përpjekur të ndërtojmë një botë më të mirë për bashkëqytetarët tanë”, shtoi ai, “duke luftuar spekulatorët që duan të shkatërrojnë të ardhmen e djemve dhe vajzave tona për të rritur fitimet e tyre”. Reagimi i Feijóos “Më në fund do të vendosin spanjollët”, “më në fund mund ta mbyllim këtë periudhë dhe të hapim një më të mirë”. Kështu deklaroi lideri i Partisë Popullore spanjolle, Alberto Nunez Feijoo, në një prononcim për mediat nga selia e PP-së në Madrid, pasi kryeministri Pedro Sánchez njoftoi zgjedhjet e parakohshme. “Zgjedhja është mes rënies ose ndryshimit, gënjeshtrës ose ndryshimit, paaftësisë ose ndryshimit, përçarjes ose ndryshimit, korrupsionit ose ndryshimit”, tha Feijóo. Ai theksoi se zgjedhjet e 29 nëntorit nuk do të jenë si zgjedhjet e mëparshme, por do të përfaqësojnë një zgjedhje mes një “projekti të ambicies personale”, duke iu referuar Sánchezit, dhe një “projekti për vendin”. Reagimi i parë i Partisë Popullore kishte qenë një “më në fund” i shkurtër, i publikuar në rrjetet sociale menjëherë pas njoftimit të Sánchezit. Mesazhi shoqërohej me një video promovuese, ku përfshihej edhe Ode to Joy (“Oda e Gëzimit”) e Beethovenit dhe në të cilën partia kryesore e qendrës së djathtë premtonte se do të garantonte drejtësi. Protestat dhe sondazhet Kryeministri e kishte kaluar fundjavën duke zhvilluar konsultime me Partinë Socialiste, ministrat dhe anëtarët e qeverisë mbi mundësinë e thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme, përpara përfundimit normal të legjislaturës në korrik 2027. Diskutimet erdhën në valën e protestave për krizën e strehimit dhe rrëzimit në Kongresin spanjoll të dekreteve për banesat. Shkak për nisjen e protestave, në të cilat janë përfshirë veçanërisht të rinjtë, u bë dëbimi i debatueshëm nga banesa në Madrid i 87-vjeçares Maricarmen Abascal. Por kush do të fitonte nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot? Mesatarja e sondazheve e përllogaritur nga El País e nxjerr Partinë Popullore të Alberto Núñez Feijóos në 32,7%, ndërsa socialistët renditen me 26,4% dhe Vox me 18,1%. Të marra së bashku, partitë e djathta, përfshirë edhe listën populiste Se Acabó la Fiesta, i afrohen 52%, ndërsa partitë e majta ndalen në 36%. Për krahasim, në vitin 2019 dy blloqet ishin në baraspeshë, me nga 43% secili. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Nunez Feijoo Pedro Sánchez spanje Komente Komento Sondazhi i ditës:

3 Tetor, 19:15

Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71% Jo 21.4% Nuk e di 7.6% Vota total: 1865 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Tetor, 19:15 Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?