15 vite planifikim, një operacion mashtrimi për të fshehur lëvizjen e bombarduesve dhe 37 orë në ajër. Revista ushtarake amerikane “Air & Space Forces Magazine” ka zbardhur detaje nga kabinat e pilotëve dhe dhomat e planifikimit të operacionit “Midnight Hammer”, gjatë të cilit SHBA-të goditën objektet bërthamore të Iranit në qershor 2025.** Ishte mëngjesi i hershëm i 22 qershorit 2025, kur dy pilotë amerikanë të bombarduesit strategjik B-2, pas 18 orësh fluturimi, po i afroheshin objektivave në Iran. Nën avionin e tyre shfaqeshin dritat e qytetit, ndërsa njëri prej pilotëve, kur dalloi kryeqytetin iranian, thirri: “Zoti im, është Teherani!”. Misioni, të cilin ekuipazhet e kishin provuar dhe simuluar vazhdimisht, po bëhej realitet. “Po e bëjmë. Po ndodh vërtet”, komentuan pilotët, ndërsa përgatiteshin të kryenin një nga operacionet më të rëndësishme ajrore amerikane të viteve të fundit. Pak minuta më vonë, dyert e vendit të armëve u hapën dhe bombat gjigante depërtuese, me peshë rreth 13.6 tonë secila, u lëshuan drejt objektivit nëntokësor në Fordow. Pasi bombarduesi u çlirua nga pesha e tyre, pilotët e kthyen avionin dhe vështruan pas, duke pritur të shihnin shpërthimin. Rreth 15 sekonda më vonë, një top zjarri u ngrit në qiell, duke ndriçuar malet iraniane dhe duke e kthyer natën në ditë. Planifikimi për goditjen e objektit bërthamor në Fordow kishte nisur që në vitin 2009, kur inteligjenca amerikane identifikoi ndërtime të dyshimta në malet në jugperëndim të Teheranit. Për rreth 15 vite, ekspertët studiuan strukturën e objektit, thellësinë e tij dhe sistemet që e mbështesnin.
Në qendër të planit ishte bomba GBU-57, e projektuar për të depërtuar në struktura të fortifikuara dhe objektiva të vendosura thellë nën tokë. Bombarduesi B-2 ishte i vetmi avion amerikan i aftë për ta transportuar këtë armë.
Në ditët para sulmit, inteligjenca amerikane zbuloi se iranianët kishin tentuar të vulosnin pjesë të objektit me beton, çka detyroi planifikuesit të rishikonin skenarët e goditjes. Ndryshimet vijuan deri në orët e fundit para nisjes së misionit.
Operacioni i mashtrimit për të fshehur bombarduesit
Një nga sfidat kryesore ishte mbajtja sekret e largimit të shtatë bombarduesve B-2 nga baza ajrore Whiteman në Misuri. Për të shmangur zbulimin e destinacionit të tyre, amerikanët organizuan një operacion mashtrimi, duke krijuar përshtypjen se bombardues të tjerë po lëviznin drejt Guamit dhe Diego Garcias, në Oqeanin Indian.
As familjet e pilotëve nuk e dinin se ku po shkonin. Njëri prej tyre, i identifikuar me nofkën “Alpha”, tregoi se nuk i kishte dhënë asnjë informacion bashkëshortes.
“Thjesht shkova në punë dhe nuk u ktheva më”, rrëfeu ai.
Misioni ishte një provë ekstreme qëndrueshmërie. Dy pilotë për avion, orë të gjata në kabina të ngushta, furnizim me karburant gjatë fluturimit dhe përpjekje për të fjetur në intervale prej 30 deri në 45 minutash. Disa përdorën stimulues me recetë, ndërsa të tjerë u mbështetën te kafeja dhe pijet energjike.
Bombarduesit kishin mikrovalë, tualet dhe një hapësirë të vogël për t’u shtrirë. Në operacion morën pjesë rreth 125 avionë, përfshirë F-22, F-35, avionë sulmues dhe tankerë fluturues, të cilët luajtën rol kyç në furnizimin me karburant.
Operacioni amerikan u zhvillua pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, të nisura më 13 qershor 2025 në kuadër të operacionit “Rising Lion”.
Sipas dëshmive të pilotëve amerikanë, avionët izraelitë F-35 dhe F-15 kishin neutralizuar një pjesë të konsiderueshme të mbrojtjes ajrore iraniane, duke ulur rrezikun për bombarduesit amerikanë.
“Ata neutralizuan shumë kërcënime dhe e bënë misionin shumë më të sigurt për ne”, tha piloti “Alpha”, duke vlerësuar ndikimin e operacionit izraelit në zhvillimin e sulmit amerikan.
Bombarduesit B-2 goditën objektet bërthamore në Fordow dhe Natanz, ndërsa objektet në Isfahan u goditën me raketa Tomahawk të lëshuara nga një nëndetëse amerikane.
Gjatë fluturimit, pilotët dëgjuan paralajmërime për aktivitet armiqësor, por analizat pas operacionit treguan se forcat iraniane nuk kishin hapur zjarr ndaj bombarduesve B-2.
Pasi dolën nga hapësira ajrore iraniane, pilotët transmetuan mesazhin e tyre: “Mbaruam, jemi të sigurt!”.
Në fluturimin e kthimit, ekuipazhet mësuan se operacioni ishte bërë publik dhe se mediat po raportonin për sulmin. Presidenti Donald Trump e kishte njoftuar goditjen ndërsa bombarduesit ishin ende në rrugën e kthimit.
Pas rreth 37 orësh në ajër, avionët u ulën në bazën e tyre në Misuri. Pilotët ishin të rraskapitur dhe të djersitur. Disa prej tyre mësuan se familjet kishin marrë vesh për misionin nga televizori.
Pas takimeve të shkurtra me të afërmit, ata iu nënshtruan kontrolleve mjekësore, morën lëngje intravenoze dhe më pas u përfshinë në një informim të klasifikuar, ku u prezantuan imazhet satelitore të objektivave të goditura.
Në atë takim, disa prej pjesëmarrësve mësuan për herë të parë edhe emrin zyrtar të operacionit: “Midnight Hammer”.
Në total, u lëshuan 14 bomba depërtuese, me një peshë të përgjithshme rreth 190 tonë, ndërsa objektivi në Isfahan u godit nga raketat Tomahawk.
Vlerësimet pas sulmit tregojnë se goditja amerikane dobësoi ndjeshëm kapacitetet e Iranit për pasurimin e uraniumit në nivele të përshtatshme për përdorim ushtarak. Megjithatë, shkalla e plotë e dëmit mbetet e paqartë.
David Albright, ish-inspektor i armëve i OKB-së dhe president i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, deklaroi se programi iranian i centrifugave, në formën që kishte para sulmit, praktikisht ka pushuar së ekzistuari dhe se pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga rrënoja. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

