Lionel Messi u rikthye në fushë për Inter Miamin të mërkurën, duke u aktivizuar në pjesën e dytë të sfidës ndaj León, vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi.
Babai i yllit argjentinas ndërroi jetë javën e kaluar në Rosario, në moshën 68-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Jorge Messi kishte qenë agjenti i Lionelit që prej moshës 14-vjeçare dhe e kishte shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij, përfshirë triumfin historik të Argjentinës në Kupën e Botës 2022.
Pas ceremonisë private të varrimit në Argjentinë të dielën, Messi u rikthye në Shtetet e Bashkuara dhe u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj León. Hyrja e tij në fushë u shoqërua me një ovacion të fuqishëm nga tifozët në Miami.
Inter Miami pësoi humbje 3-2 ndaj skuadrës meksikane dhe u eliminua nga Leagues Cup që në fazën e grupeve. Kjo është hera e parë që Miami eliminohet në këtë fazë që prej zgjerimit të kompeticionit në vitin 2023, vit në të cilin Messi iu bashkua klubit dhe e udhëhoqi drejt trofeut.
Messi kishte munguar në humbjen 2-1 ndaj Monterrey, por vendosi të ishte në dispozicion për sfidën vendimtare ndaj León.
Ditën e djeshme, Messi publikoi një mesazh emocional në rrjetet sociale, ku la të kuptohej se po shqyrton të ardhmen e tij në futboll. 39-vjeçari pranoi se nuk është “aspak i sigurt nëse do të vazhdojë ta bëjë këtë për shumë gjatë”.
Rikthimi i tij në fushë u vlerësua edhe nga shokët e skuadrës. Yannick Bright, autor i një prej golave të Inter Miamit, e cilësoi praninë e Messit si “të pabesueshme”.
“Kur e pashë se ishte këtu, gjithçka që mendoja ishte të jepja 150% për të. Është një situatë e vështirë. Përpiqemi të qëndrojmë pranë tij dhe ta mbështesim sa më shumë të mundemi”, tha Bright.

