Një objekt i pazakontë është shfaqur së fundmi në qytetin e Durrësit, i vendosur pranë hyrjes së institucionit të Bashkisë, pishtë zyrës së kryebashkiakes Emirjana Sako. Shumë qytetarë kanë propozuar zëvendësimin e karameles me një bidon ujë për të simbolizuar qytetin siç i ka hije.
Instalacioni ka formën e një karameleje, vjen në ngjyrë bojëqielli dhe mban të stampuar logon zyrtare të Bashkisë së Durrësit. Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një nismë artistike të porositur nga vetë institucioni, një instalacion të financuar privatisht, apo një dhuratë nga ndonjë artist vendas ose i huaj.
Vepra ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe vizitorëve në shesh, duke ngjallur kuriozitet në lidhje me kuptimin dhe origjinën e saj, teksa të tjerë e kanë kritikuar shpenzimin për një objekt të tillë teksa Durrësi është pa ujë prej ditësh.

