Pas vendimit të Presidentit Bajram Begaj për të mbledhur Këshillin e Sigurimit Kombëtar, pas masës së arrestit ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili thotë se vendi nuk ka nevojë për spektakël institucional. Sipas Bardhit, Presidenti duhet të japë përgjigje lidhur me verifikimet e kryera përpara dekretimit të Vlora Hysenit në krye të SHISH, ndërsa ngre pikëpyetje edhe për sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe funksionimin e institucionit. “Shqiptarët nuk kanë nevojë për një mbledhje formale dhe as për një shfaqje institucionale. Ata nuk kanë nevojë që të mblidhet Këshilli i Sigurimit të Gysit. Qytetarët kanë nevojë për përgjigje konkrete. Pyetja e parë dhe më e rëndësishme që i drejtohet Bajram Begajt është e thjeshtë: Mbi çfarë verifikimesh u mbështet vendimi për dekretimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH dhe çfarë verifikoi Presidenti dhe çfarë nuk verifikoi institucioni i Presidentit përpara dekretimit? Po aq serioze janë pyetjet që lidhen me sigurinë e informacionit të klasifikuar, burimeve njerëzore dhe informacionit sensitiv që administron SHISH. Nëse ekziston apo ka ekzistuar një rrezik që informacionet e këtij institucioni, identitetet e burimeve apo të informatorëve të jenë ekspozuar ndaj strukturave kriminale ose shërbimeve të vendeve jo mike, atëherë kemi përpara një çështje me pasoja potencialisht shumë të rënda për sigurinë kombëtare. Gjatë këtyre dy viteve janë ngritur publikisht pretendime dhe shqetësime serioze për mënyrën se si ka funksionuar SHISH dhe për marrëdhënie të pretenduara ndërmjet individëve të caktuar dhe strukturave të krimit të organizuar. Bajram Begaj duhet të sqarojë nëse këto shqetësime janë verifikuar ndonjëherë nga institucionet përgjegjëse dhe, nëse po, cilat kanë qenë përfundimet e këtyre verifikimeve. Nuk i kërkojmë Presidentit të ndërhyjë në hetimet e SPAK-ut apo në vendimmarrjen e gjykatave. I kërkojmë të japë llogari për përgjegjësitë e veta institucionale. Prandaj, Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk mund të përdoret si zëvendësim për llogaridhënien. Presidenti, njëlloj si Kryeministri, duhet të përgjigjet për vendimmarrjen e tij. Duhet të shpjegojë çfarë verifikoi, çfarë dinte, çfarë nuk dinte dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një President që shfaqet vetëm pasi kriza ka shpërthyer. Shqiptarët kanë nevojë për një President që merr përgjegjësi, jep llogari dhe garanton se institucionet e sigurisë së Republikës nuk përdoren për interesa politike apo kriminale. Prandaj, përpara çdo mbledhjeje formale të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Bajram Begaj duhet t’u japë shqiptarëve transparencën që meritojnë. Jo propagandë. Jo formalitet. Jo heshtje. Përgjegjësi dhe transparencë”, shkruan ndër të tjera Bardhi. Në mbledhje pritet të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, si dhe ministrat e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të Brendshëm, Ervin Demo, të Financave, Petrit Malaj, të Jashtëm, Ferit Hoxha, dhe të Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi. Nga Kuvendi pritet të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bledi Çuçi. Sipas përcaktimeve ligjore, në mbledhje marrin pjesë gjithashtu Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”, shkruan Bardhi.
