Shtëpia e Bardhë po përballet me pyetje të reja lidhur me lejen e sigurisë së Natalie Harp, një prej ndihmëseve më të afërta të Presidentit Donald Trump. Sipas një raportimi të rrjetit MS NOW, Harp, e cila shërben si asistente ekzekutive e presidentit amerikan, ka punuar për rreth një vit në Shtëpinë e Bardhë pa përfunduar procedurat rutinë për marrjen e autorizimit të sigurisë. Sipas dy burimeve të cituara nga rrjeti, ajo kishte refuzuar të plotësonte dokumentet përkatëse, për arsye që nuk janë bërë të ditura.
Çështja u ngrit nga zyra e këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë dhe, sipas raportimit, edhe Trump u përfshi personalisht. Pas kësaj, Harp plotësoi dokumentet për hetimin federal të së kaluarës dhe mori autorizimin e sigurisë me vonesë.
Ish-zyrtari i etikës në Shtëpinë e Bardhë, Norm Eisen, e cilësoi situatën si “tronditëse”.
“Është tronditëse që një ndihmës që mund të ketë ekspozim ndaj sekreteve më të ndjeshme të kombit thuhet se ka qëndruar pa autorizim sigurie për kaq gjatë”, tha Eisen.
Ai shtoi se trajtimi i aksesit në informacionet konfidenciale si një çështje dytësore përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe kërkoi përgjigje nga administrata.
Në përgjigje të raportimeve, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Harp tashmë ka autorizimin përkatës.
“Natalie Harp ka autorizim sigurie, si të gjithë të tjerët, dhe është një anëtare besnike dhe punëtore e ekipit të Presidentit Trump”, deklaroi Leavitt.
Megjithatë, raportimi ka shkaktuar reagime nga ish-zyrtarë të administratave të mëparshme, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar procesi i verifikimit të saj.
David Axelrod, ish-strategu dhe këshilltari i lartë i Presidentit Barack Obama, shkroi në rrjetin X se, nëse raportimi është i saktë, situata përbën një çështje serioze.
Ndërkohë, Richard Painter, ish-këshilltar kryesor për etikën në administratën e George W. Bush, sqaroi se jo çdo punonjës i Shtëpisë së Bardhë ka domosdoshmërisht nevojë për të njëjtin nivel autorizimi sigurie. Kjo varet nga detyra dhe niveli i aksesit në informacionet e klasifikuara.
Megjithatë, sipas Painter, nëse Harp e shoqëron Trumpin gjatë udhëtimeve dhe ndodhet pranë tij gjatë bisedave që mund të përmbajnë informacione të klasifikuara, atëherë autorizimi i sigurisë është i nevojshëm.
Çështja ka rikthyer në vëmendje debatet mbi mënyrën se si administrata Trump trajton autorizimet e sigurisë për njerëzit më të afërt me presidentin.
Donald K. Sherman, president i organizatës “Citizens for Responsibility and Ethics in Washington”, tha se situata ngjason me rastin e Jared Kushner gjatë mandatit të parë të Trumpit. Sipas tij, Kushner mori autorizimin e sigurisë vetëm pasi Trump ndërhyri personalisht, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga zyrtarët e inteligjencës.
Sipas Sherman, një fleksibilitet i tillë ndaj personave të afërt me presidentin përbën një “trend shqetësues”, duke pasur parasysh informacionet e ndjeshme me të cilat ata mund të përballen.
Kush është Natalie Harp?
Natalie Harp, 35 vjeçe, u bë e njohur fillimisht si një e mbijetuar e kancerit dhe mbështetëse e Trumpit. Ajo foli në Konventën Kombëtare Republikane në vitin 2020 dhe më pas iu bashkua rrjetit One America News Network.
Harp filloi të punonte për Trumpin në vitin 2022 dhe që atëherë është parë shpesh në krah të presidentit.
Sipas raportimeve, ajo i ka dërguar Trumpit letra me tone të forta admirimi, e ka ndihmuar me postimet në rrjetet sociale dhe është quajtur “printerja njerëzore”, pasi i siguron presidentit materiale të printuara me mbulime pozitive mediatike.
CNN ka raportuar gjithashtu se në vitin 2023, kur Trump duhej të paraqitej në gjykatë në Nju Jork, Harp mësoi se nuk kishte vend për të në autokolonën presidenciale. Ajo thuhet se hipi në bagazhin e një SUV-je, duke këmbëngulur se Trumpi i kishte kërkuar personalisht të ishte e pranishme.
Muajin e kaluar, Harp ishte gjithashtu pjesë e një grupi të vogël që shoqëroi Trumpin në një avion ushtarak, pasi presidenti ndryshoi avion gjatë një udhëtimi në Turqi për shkak të një kërcënimi të dyshuar nga Irani.
Këtë javë, senatori demokrat Jon Ossoff e përmendi Harp gjatë një fjalimi elektoral, duke kritikuar Trumpin dhe duke e akuzuar se është më i fokusuar te aktivitetet personale sesa te detyrat presidenciale.
Deklaratat shkaktuan reagime të forta dhe një valë spekulimesh në rrjetet sociale mbi marrëdhënien mes Harp dhe Trumpit.
Besnikëria e saj ndaj presidentit është përshkruar edhe në librin Regime Change, botuar këtë vit nga gazetarët e The New York Times, Maggie Haberman dhe Jonathan Swan. Sipas tyre, Harp i ka dërguar Trumpit letra me admirim të thellë, duke i shprehur mbështetje të pakushtëzuar. Top Channel

