Mbi 130 biznese të industrisë fason në Shqipëri po përballen me bllokimin e mallrave në doganë për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara. Shoqata ProEksport Albania ka ngritur shqetësimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke kërkuar rishikimin e kësaj mase, e cila sipas saj mund të paralizojë aktivitetin e ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese. Në një komunikatë për mediat, shoqata thekson se praktika e bllokimit të përgjithshëm të aktivitetit doganor nuk ka një bazë ligjore të qartë dhe ngre pikëpyetje për përputhshmërinë me standardet europiane. LEXO edhe...Raporti/ Doganat në 9 muaj humbën 63.4 milionë euro nga kursi i këmbimit, çmimi i lartë i karburantit rriti të ardhurat doganore “Kjo praktikë nuk ka një bazë ligjore të qartë për bllokimin e përgjithshëm të aktivitetit doganor dhe ngre shqetësime për përputhshmërinë me parimet e acquis të Bashkimit Europian”, thuhet në komunikatë. Situata është veçanërisht shqetësuese për industrinë e veshjeve dhe këpucëve, pasi lëndët e para dhe produktet e përpunuara shpesh janë pronë e klientëve të huaj dhe jo e bizneseve shqiptare që kryejnë përpunimin e tyre. “Bllokimi i tyre mund të cenojë të drejtat e pronësisë, të ndërpresë prodhimin, të rrezikojë kontratat ndërkombëtare dhe vendet e punës”, paralajmëron ProEksport Albania. Shoqata sqaron se nuk është kundër shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit, por kundërshton masat që bllokojnë aktivitetin e bizneseve dhe prekin edhe kompani të huaja që nuk kanë detyrime tatimore në Shqipëri. “ProEksport Albania nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore, por masat shtrënguese që paralizojnë aktivitetin eksportues dhe dëmtojnë edhe palë të treta që nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar”, theksohet në reagim. Përmes një shkrese të datës 7 tetor 2026, shoqata ka kërkuar sqarimin e bazës ligjore të kësaj praktike, rishikimin e saj dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet për pagesën me këste. “Një masë për mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk duhet të shkatërrojë burimin e të ardhurave nga i cili këto detyrime mund të shlyhen”, thuhet në komunikatën e firmosur nga kryetari i shoqatës, Edvin Prençe. ProEksport Albania kërkon ndërhyrje institucionale dhe një zgjidhje të menjëhershme që të garantojë mbledhjen e detyrimeve tatimore, pa cenuar pronësinë e klientëve të huaj, prodhimin, eksportet dhe vendet e punës. U.D/ReportTv.al ProEksport Albania eksportet doganat Komento Komente Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.7% Jo 78.2% Disi 3.1% Vota total: 11354 Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?

