Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka dalë në mbrojtje të nismës për riorganizimin e hartës së re të vendit, duke sjellë si shembull bashkimin e planifikuar të Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin.
Gjatë shpjegimit të modelit të ri, ai ka siguruar se ky proces synon të ruajë funksionalitetin dhe përfaqësimin e zonave të integruara, pa cenuar aksesin e qytetarëve në institucione.
Sipas Maznikut, bashkitë që pritet të kalojnë nën administrimin qendror të bashkive të mëdha do të ruajnë nivelet e tyre të vendimmarrjes përmes drejtuesve të caktuar dhe strukturave të posaçme përfaqësuese, duke garantuar se zyrat lokale do të vazhdojnë të ofrojnë të njëjtat shërbime si më parë.
Ndryshimet administrative do të përqendrohen kryesisht te konsolidimi i buxheteve, planifikimi urban dhe menaxhimi i unifikuar i mjeteve dhe burimeve.
Duke sqaruar detajet e kësaj skeme, Mazniku u shpreh: “Elbasani është pika natyrore e gravitetit, këtu ruajmë tre qytete, qytetin e Elbasanit, cërrikut dhe Belshit, secili prej këtyre qyteteve do vazhdojë të ketë një nënkryetar përgjegjës për secilin territor dhe do të ketë një kuotë propcionale në këshillin bashkiak që krijohet nga kjo bashki e madhe, duke i siguruar përfaqësimin, vijueshmërinë e funksionalitetit, ruajtjen e identitetit dhe të gjitha funksionet që sot një banor merr në Cërrik apo Belsh do vazhdojë ti marrë aty ku i ka marrë gjithmonë. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Elementët që konsolidohen janë planifikim buxhetor, planifikimi urban, planifikimin e zhvillimit ekonomik, elementë ligjor. Pastrimi i kanalit kullues vaditës do vazhdojë të ndodhe nga struktura e qytetit, planifikimi menaxhimi i një flote mjetesh, planifikimi i kohës kur bëhet, do të bëhet nga një njësi e përqendruar.”

