Të paktën shtatë persona kanë mbetur të vrarë dhe 34 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një kishë në provincën Karak, në jug të Jordanisë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ngjarja ka ndodhur në kishën Hammoud, gjatë një ceremonie mortore, ku dy persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj pjesëmarrësve në kortezhin funeral.
Identiteti i autorëve dhe motivet e sulmit mbeten të paqarta. Në momentin e sulmit, bëhet me dije se në kishë ndodheshin rreth 150 deri në 200 persona.
Ministri i Brendshëm i Jordanisë, Mazen Al-Faraya, deklaroi pas ngjarjes se masakra ishte kryer nga një grup “ekstremistësh”. Sipas medias jordaneze Roya Neës, ai tha se autoritetet i kanë identifikuar të dyshuarit, por nuk do t'i bëjnë publikë emrat e tyre për momentin. Zëdhënësi i qeverisë jordaneze, Mohammad al-Momani, bëri të ditur se forcat e sigurisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit.
Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, dënoi sulmin dhe paralajmëroi një reagim të ashpër ndaj përgjegjësve. “Sulmi terrorist në Karak do të përballet me kundërpërgjigjen më të ashpër. Ata që mendojnë se mund t'i përçajnë jordanezët me plumba nuk kanë asnjë shans përballë unitetit tonë. Do të godasim me grusht të hekurt këdo që guxon të kërcënojë vendin tonë", deklaroi ai. Edhe presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dënoi sulmin, të cilin e cilësoi si një akt terrorist të rëndë, dhe shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, e cilësoi lajmin si tronditës. “Lutemi për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga ky sulm mizor dhe brutal ndaj një vendi të shenjtë. Sulmet ndaj të krishterëve vazhdojnë të përshkallëzohen në mbarë botën dhe duhet të ndalen”, deklaroi ai. Sulmet me armë zjarri të këtij lloji janë të rralla në Jordani, një vend me rreth 11.5 milionë banorë, ku shumica e popullsisë është myslimane. endi ka gjithashtu një pakicë të krishterë prej disa qindra mijëra banorësh.
Rajoni i Karakut, rreth 180 kilometra në jug të kryeqytetit Aman, është një zonë me një prani të konsiderueshme të komunitetit të krishterë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

