Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së shkaktoi lumë reagimesh në Kosovë dhe në politikën shqiptare, por në Tiranë reagimi i parë dhe më i dukshëm nga kreu i qeverisë ishte vetëm një fjalë: “Marre!” Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi të shoqëruar me këtë mbishkrim, duke mos dhënë në atë moment një shpjegim të gjatë për qëndrimin e tij ndaj aktgjykimit. Reagimi erdhi pasi Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vite, për krime lufte. Rama kishte shprehur edhe më herët mbështetje publike për Thaçin, pasi vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit, ai shkruante “Liri për çlirimtarët!” dhe se e vërteta e Thaçit nuk mund të merrej nga askush.
Një reagim i dytë nga mazhoranca erdhi nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Balla e cilësoi atë si të padrejtë dhe shkroi se “ky vendim sot nuk është drejtësi”, pasi historia e UÇK-së nuk mund të zhbëhet. Balla kërkoi gjithashtu që të përdoren të gjitha rrugët juridike për kundërshtimin e vendimit.
Gogu: Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtëNga kabineti qeveritar, reagimi i drejtpërdrejtë erdhi nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Gogu e cilësoi vendimin si një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët dhe deklaroi se karakteri i luftës së UÇK-së nuk ndryshon nga një vendim gjykate.
“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë. Asnjë vendim gjykate nuk e ndryshon këtë të vërtetë historike”, deklaroi ministri.
Një ditë më pas, Gogu e komentoi sërish aktgjykimin, duke thënë se apeli është rruga për kundërshtimin e tij.
Po pjesa tjetër e qeverisë?
Në orët e para pas vendimit, reagimet më të spikatura nga kampi qeveritar ishin ai i Ramës, Ballës dhe Gogut, por nuk pati një valë deklaratash nga ministrat e tjerë të kabinetit që ta dënonin publikisht vendimin e Hagës.
Vlen të theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë reagoi përmes llogarisë së saj zyrtare në rrjetin X lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale.
Ministria kroate theksoi se nuk synon të paragjykojë rezultatin e procesit gjyqësor, duke qenë se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë.
Por në të njëjtën kohë, Zagrebi vendosi të nënvizojë kontekstin historik të luftës në Kosovë.
“Ky vendim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë apo faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda nga regjimi i Millosheviçit”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Jashtme kroate.
Ministria kroate shtoi se përgjegjësia individuale e një personi nuk mund të përdoret për të relativizuar krimet e kryera gjatë luftës apo për të vënë në dyshim lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pra, Kroacia zgjodhi të bëjë një ndarje të qartë mes përgjegjësisë individuale penale, që i takon gjykatës ta përcaktojë, dhe kontekstit historik të luftës në Kosovë, për të cilin shprehu një qëndrim politik të qartë.
Në Shqipëri, ndërkohë, pas reagimeve të Ramës, Ballës dhe Gogut, nuk pati një reagim të ngjashëm nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Si duket, një vend si Kroacia gjeti të nevojshme të pozicionohej zyrtarisht për të ndarë përgjegjësinë individuale nga konteksti i luftës në Kosovë, ndërsa diplomacia shqiptare nuk pati një reagim të ngjashëm publik./ S.GJ - Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

