Nëse keni menduar se reformimi i universitetit, rrëzimi i një “sistemi të kalbur” apo ndërtimi i një rendi të ri kërkon punë kërkimore, shifra financiare apo projektligje, jeni tërësisht të painformuar mbi metodat e reja inovative. Në tranzicionin tonë, zbulimi më i madh metodologjik është ky: zgjidhja e çdo halli arsimor dhe përmbysja e sistemit fillon e mbaron me thyerjen e një xhami apo shkuljen e kangjellave. Po e them që në fillim jo për justifikim, pot për të shmangur çdo keqkuptim, që unë jam 100% me studentët, me hallin e tyre real, me konviktet e prishura dhe me diplomën që nuk u vlen te dera e punës. Ata kanë arsye plot për tu indinjuar. LEXO EDHE:Protestuesit i vënë zjarrin tabelës reklamuese në rrugë Por ajo që po shohim sot para dyerve të Ministrisë nuk është projekt për studentët, por një gjellë e gatuar nga pjata bosh e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Thënë shkurt, është një kryevepër e projektit të kaosit. Këtu qëndron edhe kontrasti më i madh me atë që shohim sot në Evropë. Në Francë, për shembull, studentët gjithashtu përplasen me policinë, bllokojnë rrugët e thyajnë xhama, por prapa asaj revolte qëndron një kauzë. Ata kanë kërkesa konkrete për buxhetin, për infrastrukturën dhe për kushtet e jetesës, gjë që e kthen edhe përplasjen në një mjet presioni për zgjidhje. Kjo ndodh rëndom atje, ama çdo protestë ka kërkesë konkete që nuk është marrja e pushtetit pa votë e rrëzimi i qeverisë. Ndërsa te ne, ndryshe nga Parisi që u kopjua sot në forme, e gjithë kjo lëvizje nuk ka as kauzë e as zgjidhje. Ajo mbetet thjesht një kaos dhe një kakofoni e zbrazët politike. Ja hapat e këtij manuali magjik se si po tallet politika populiste majtiste e djathtiste me ëndrrat e rinisë: Zëvendëso platformën me gurin Siç vërente Hannah Arendt, dhuna shfaqet atëherë kur ideja është në krizë. Kur nuk ke një plan se si do të financohet universiteti apo si do të ndërtohet ky “sistemi i ri” ditën e nesërmë, zgjidhja më e thjeshtë është të shkulësh një gardh. Pse të lodhesh duke lexuar “Marrëveshjen e Loxh-it” që bënë studentët në Poloni për autonomi universitare, apo platformën e studentëve tanë të vitit 1990 për pluralizëm?Projektet janë të ndërlikuara. Kaosi është falas. Bëj bashkë të pamundurën Pasioni më i madh i organizatorëve sot është pluralizmi ideologjik. Bëhen bashkë të majtët që kërkojnë shtetëzim e arsim falas, me të djathtët që kërkojnë treg të lirë. Ata nuk merren dot vesh as për konceptin e një leksioni, por bashkohen te guri që thyen xhamin. Caktimi i objektivit është i thjeshtë: “Të tërhiqet qeveria, të shembet sistemi, pastaj shohim e bëjmë.” Giovanni Sartori e quante këtë nihilizëm politik, zbrazëti e plotë konceptuale e maskuar si revoltë. Tjetërso ambalazhin Kur një protestë politike mbush 136 ditë në shesh dhe shifrat e pjesëmarrjes bien në mënyrë dramatike, zgjidhja më praktike është t’i vësh aksionit opozitar një emër të ri: “Protesta e Studentëve”. I heq pankartat për konviktet, i vesh mantel rinor dhe e fut të gjithë rininë në një lojë ku ajo shërben thjesht si mish për top. Mos u përgjigj kurrë për të nesërmen Max Weber thoshte se politika e pjekur kërkon etikën e përgjegjësisë, detyrimin për të parashikuar çfarë vjen pas. Por te ne, pyetja se si do të ngrihet sistemi i ri marroset me buzëqeshje: “Mjafton të ikë kjo klasë politike dhe të rinjtë do ta marrin fatin në dorë.” Se si, me kë ligje, me çfarë kodi zgjedhor e me çfarë vizioni për arsimin, kjo mbetet sekret shtetëror. Nëse dikush dëshironte me të vërtetë të ndihmonte studentët apo të ndryshonte sistemin, sot do të kishte një projekt politik në tryezë. Por këtu nuk ka projekt për arsimin e as për të ardhmen. Ka vetëm një manual kaosi institucional, ku studenti përdoret si forcë goditëse dhe halli i tij harrohet sa mbyllet kamerat e lajmeve. Kush e bën dhe pse, mbetet ta shohim si telenovelë, ndaj s’po e them që sot./ Lexo U.D/Shqiptarja.com TAG: protesta arsimi flogert muca protestat kunder qeverise ministria e arsimit Komente Komento Sondazhi i ditës:
12 Tetor, 19:56
Berisha kundër votimit elektronik në 2027, a besoni se mund të manipulohet? Po 25.8% Jo 69.9% Nuk e di 4.3% Vota total: 1434 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 12 Tetor, 19:56 Berisha kundër votimit elektronik në 2027, a besoni se mund të manipulohet?
