Rey Manaj ishte protagonist në fitoren 3-0 të Shqipërisë ndaj San Marinos, duke shënuar golin e tretë të kuqezinjve dhe duke dhënë kontribut edhe në golin e parë të ndeshjes. Pas përfundimit të takimit, sulmuesi shqiptar u ndal edhe te komentet negative që merr në rrjetet sociale, duke pranuar se ato nuk mbeten pa ndikim, sidomos kur prekin edhe familjen e tij.
Manaj tha se shpesh përballet me një realitet të çuditshëm: edhe pas ndeshjeve ku paraqitja e tij është pozitive, në rrjetet sociale shfaqen kritika ndaj tij. Sulmuesi tregoi se dëgjon edhe materiale në podcast-e apo TikTok dhe se komentet e njerëzve arrijnë deri te familjarët e tij.
Ai u shpreh se e ka të vështirë ta kuptojë këtë kontrast mes asaj që bën në fushë dhe reagimeve që lexon më pas, duke theksuar se vazhdon të punojë dhe të japë maksimumin për Kombëtaren. “Luaj shumë mirë dhe shoh komente negative. Ndikon edhe te familja. Dëgjoj njerëz në podcast e TikTok…”
Manaj është ndër lojtarët që ka marrë minuta të rëndësishme në dy ndeshjet e para të Shqipërisë në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Pas suksesit 2-0 ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë fituan edhe ndaj San Marinos dhe tashmë kryesojnë Grupin 1 të Ligës C me 6 pikë. Top Channel

