Lajme Zone
Mallkimi i Rozafës mbi Bahçallëk: Murosen 10 milionë euro, ura nuk është askund dhe Shkodra që vuan tmerrin e trafikut
PolitikëPamfleti

Mallkimi i Rozafës mbi Bahçallëk: Murosen 10 milionë euro, ura nuk është askund dhe Shkodra që vuan tmerrin e trafikut

Qeveria edhe kur i jep ca para Shkodrës, tenderët ua dorëzojnë kompanive të lodhura dhe të paafta; afati kaloi, Drini u mbush me materiale inerte, ndërsa ura mbeti te themelet.

Qeveria edhe kur i jep ca para Shkodrës, tenderët ua dorëzojnë kompanive të lodhura dhe të paafta; afati kaloi, Drini u mbush me materiale inerte, ndërsa ura mbeti te themelet. Kontrata për hyrjen e Shkodrës dhe ura e re të Bahçallëkut duhet të përfnte më 10 qershor 2026. Pamjet e 28 gushtit tregojnë se kompanitë vazhdojnë punën në themele, ndërsa mijëra metra kub material kanë ngushtuar shtratin e Drinit. ARRSH-ja duhet të shpjegojë vonesën, ndryshimet e projektit, pikëzimin e tenderit dhe ndërhyrjen në lumë. Nga ura e vjetër e Bahçallëkut duket qartë se çfarë ka mbetur nga premtimi për hyrjen e re të Shkodrës. Poshtë saj, një makineri e rëndë shpon themelet e urës së re. Punëtorët përgatisin kafazet e hekurit, ekskavatorët lëvizin mbi një platformë të krijuar brenda lumit, ndërsa gurët dhe dherat kanë zënë një pjesë të shtratit të Drinit. © Copyright Pamfleti

Videoja mban datën 28 gusht 2026. Kontrata kishte përfunduar 79 ditë më parë.

Ura e re nuk ka tablier të plotë. Kontraktori vazhdon ndërtimin e pilotave dhe mbështetëseve. Mungojnë lidhjet përfundimtare, hidroizolimi, asfaltimi, barrierat, trotuaret, ndriçimi dhe sinjalistika. Pamjet nuk tregojnë një objekt në prag të dorëzimit. Ato tregojnë një kantier që vazhdon të punojë në elementet kryesore të strukturës.

Ky investim duhej të ndryshonte hyrjen e Shkodrës. Deri tani ka prodhuar një tender me vetëm dy oferta të kualifikuara, një kontratë të përfunduar në letër, një ndryshim projekti gjatë zbatimit dhe një ndërhyrje të madhe në shtratin e Drinit, me ndikime të jashtëzakonshme në mjedis. Tenderi kushton rreth 10 milionë euro me TVSH. Oferta fituese përbën 77.64% të fondit limit dhe sjell një diferencë prej rreth 238 milionë lekësh kundrejt shumës së parashikuar nga ARRSH-ja.

Çmimi më i ulët nuk mjafton për të matur suksesin e një kontrate. Shteti duhet të kontrollojë edhe afatin, cilësinë, sigurinë dhe ndikimin mjedisor. Pikërisht në këto elemente nis problemi i Urës së Bahçallëkut.

ARRSH-ja hapi procedurën më 4 tetor 2024 dhe pranoi ofertat deri më 8 nëntor. Pesë bashkime kompanish hynë në garë. Komisioni skualifikoi tri dhe la vetëm dy për pikëzim. Bashkimi fitues e ndau punën mes tri kompanive. A.L-ASFALT mori 40%, SIRETA 2F mori 33%, ndërsa KUPA mori 27%. ARRSH-ja e skualifikoi bashkimin “Curri” dhe “Xhengo” sepse stafi, drejtuesi teknik dhe makineritë e deklaruara rezultonin të angazhuara në kontrata të tjera ose në procedura të shpallura fituese.

“Curri” kishte një kontratë tjetër të rëndësishme me vetë ARRSH-në. Në bashkim me “Bami”, kompania ndërtoi kilometrat e parë të zgjerimit Tiranë-Durrës, pjesë e segmentit që qeveria hapi më 28 prill 2026. Ministria e Infrastrukturës deklaroi se kompanitë kishin përdorur teknologji të re asfaltimi në këtë aks.

Ky fakt nuk provon se “Curri” duhej të fitonte tenderin e Bahçallëkut. Ai ngre një pyetje tjetër: a përjashtoi ARRSH-ja një operator me punë të provuar vetëm sepse kishte burimet e angazhuara, ndërsa nuk kontrolloi me të njëjtën rreptësi kapacitetet reale të kompanive që shpalli fituese?

Përgjigjen nuk e jep njoftimi publik. ARRSH-ja nuk ka publikuar listën emërore të stafit të fituesit, makineritë e deklaruara dhe kontratat ku këto burime mund të ishin angazhuar.

Tenderi nuk u vendos vetëm nga çmimi. Komisioni rezervoi gjysmën e pikëve për metodologjinë, stafin, mjedisin, garancinë dhe grafikun e punimeve. Bashkimi fitues mori 244.80 pikë nga anëtarët e komisionit. “Elmazaj Konstruksion” dhe “Ndregjoni”, konkurrenti i vetëm që mbeti në garë, mori 236.25 pikë. Diferenca arriti vetëm 8.55 pikë.

Dokumenti publik nuk tregon sa pikë mori secili operator për afatin, stafin, metodologjinë, mjedisin dhe garancinë. Ai nuk tregon as vlerësimet individuale të anëtarëve të komisionit.

ARRSH-ja shpalli fituesin më 20 nëntor dhe e lidhi kontratën më 10 dhjetor 2024.

Njoftimi i tenderit përcaktonte një kohëzgjatje deri në 24 muaj, ndërsa kontrata e nënshkruar caktoi 18 muaj. Kjo mund të lidhet me grafikun e propozuar nga fituesi, sepse dokumentet u lejonin operatorëve të ofronin një afat më të shkurtër.

Nëse fituesi mori pikë shtesë për premtimin se do ta përfnte objektin për 18 muaj, mosrespektimi i këtij afati merr rëndësi tjetër. Ai nuk përbën vetëm vonesë kontraktuale. Ai prek një element që mund ta ketë ndihmuar kompaninë të fitonte tenderin.

ARRSH-ja duhet të publikojë grafikun që paraqiti fituesi, pikët që mori për të dhe grafikun e rishikuar pas vonesës.

Dokumentet përmbajnë edhe një formulë të çuditshme. ARRSH-ja rezervoi pesë pikë për garancinë e punimeve dhe pesë për mirëmbajtjen rutinë, por formula e shkruar në dokumente i jep më shumë pikë ofertuesit që propozon periudhën më të shkurtër.

Sipas formulës së publikuar, një kompani që ofron dy vjet garanci mund të marrë më shumë pikë se një kompani që ofron katër vjet. ARRSH-ja duhet të sqarojë nëse dokumenti përmban një gabim apo nëse komisioni e zbatoi realisht formulën gjatë vlerësimit. Ministri Enea Karakaçi deklaroi në Kuvend se ARRSH-ja e kishte lidhur kontratën më 23 dhjetor 2024 dhe se afati përfnte më 23 qershor 2026.

Dokumenti zyrtar i kontratës shënon 10 dhjetor 2024 dhe 10 qershor 2026.

Ministri dha njëkohësisht një afat tjetër për urën. Ai tha se kompanitë do ta përfnin në nëntor ose dhjetor 2026.

Qeveria nuk mund të ndryshojë afatin e një kontrate me një deklaratë në Kuvend.

ARRSH-ja duhet të ketë një kërkesë të kontraktorit, një relacion të mbikëqyrësit dhe një vendim të argumentuar për zgjatjen. Nëse nuk ekziston ky dokumentacion, kontraktori ka hyrë në vonesë dhe ARRSH-ja duhet të zbatojë penalitetet.

Ministri fajësoi nivelin e lartë të Drinit. Sipas tij, prurjet e larta penguan punën te themelet dhe kompanitë mundën ta rinisnin vetëm në fund të prillit.

Edhe kjo arsye kërkon dokumente. Kontraktori që merr përsipër një urë mbi Drin duhet të njohë regjimin e lumit, periudhat me prurje të larta dhe kufizimet sezonale. Grafiku 18-mujor duhej t’i përfshinte këto kushte. Reshjet dhe shkarkimet e kaskadës nuk përbëjnë automatikisht ngjarje të paparashikueshme.

Nëse ARRSH-ja i dha pikë fituesit për një grafik që nuk llogariti kushtet normale të Drinit, atëherë komisioni vlerësoi një afat jorealist. Nëse kompanitë i kishin llogaritur këto kushte dhe përsëri nuk e respektuan afatin, atëherë ato nuk përmbushën ofertën.

Pamjet e 28 gushtit hapin një problem më të madh se vonesa.

Për të vendosur makineritë pranë pikave të themeleve, kontraktori ka hedhur gurë, zhavorr dhe dhera në shtratin aktiv të lumit. Materiali ka krijuar një platformë për makinerinë e pilotimit dhe mjetet e tjera të kantierit.

Ndërtuesit përdorin platforma të përkohshme gjatë realizimit të urave. Teknologjia nuk përbën vetvetiu shkelje. Projektuesi duhet të llogarisë përmasat, kuotat, rezistencën, kalimin e ujit dhe ndikimin mbi rrjedhën. Kontraktori duhet të ketë lejen përkatëse dhe duhet ta largojë materialin pas përfundimit.

Këtu nuk flitet vetëm për pamjen e lumit. Ngushtimi i seksionit mund të rrisë shpejtësinë e rrjedhës, të shtojë gërryerjen rreth themeleve, të ndryshojë transportin e sedimenteve dhe të devijojë rrymën drejt urës ekzistuese ose bregut.

Rreziku rritet kur KESH-i shton shkarkimet nga kaskada. Një platformë e dimensionuar për prurjet e verës mund të kthehet në pengesë gjatë një rritjeje të papritur të nivelit.

ARRSH-ja duhet të publikojë modelin hidraulik, seksionet tërthore të lumit, prurjen projektuese, llogaritjet e gërryerjes dhe planin e emergjencës. Pa këto dokumente, askush nuk mund të kontrollojë nëse platforma respekton projektin apo nëse kontraktori e ndërtoi sipas nevojave të veta.

Ndërhyrja prek edhe mjedisin. Hedhja dhe largimi i materialit mund të turbullojë ujin, të shpërndajë sedimente dhe të dëmtojë habitatin e shtratit. Makineritë brenda lumit krijojnë rrezik nga vajrat dhe karburantet. Llumi i shpimeve dhe mbetjet e betonit kërkojnë grumbullim dhe trajtim të kontrolluar.

Ironia qëndron te tenderi. ARRSH-ja dha deri në dhjetë pikë për masat mjedisore dhe sociale. Fituesi duhet të ketë paraqitur një metodologji për materialet ekologjike, pajisjet, sedimentet, ndotjen dhe ndikimin mbi komunitetin.

Ku është sot kjo metodologji? A e parashikonte mbushjen e shtratit? Sa material lejonte? Çfarë masash kërkonte për izolimin e sedimentit? Kur duhet të largohet platforma? Kush e kontrollon zbatimin?

ARRSH-ja ka detyrimin t’u përgjigjet këtyre pyetjeve me dokumente, jo me video propagandistike.

Teknologjia e themeleve që shfaqet në video përdor pilota të shpuara dhe të derdhura në vend. Makineria hap pusin brenda tubit metalik mbrojtës. Kontraktori vendos kafazin e armaturës dhe derdh betonin për të krijuar pilotën.

Kjo metodë përdoret zakonisht për ura mbi terrene aluvionale. Pamjet nuk provojnë se teknologjia është e gabuar. Ato nuk provojnë as cilësinë e zbatimit. Pamjet tregojnë gjithashtu beton të derdhur në disa faza dhe sipërfaqe me gjurmë kallëpesh. Këto elemente nuk provojnë defekt strukturor. Vetëm projektuesi, mbikëqyrësi dhe laboratorët mund të përcaktojnë nëse fugat e betonimit, armatura dhe cilësia e betonit respektojnë projektin.

Problemi i dokumentuar sot qëndron te koha. Më 28 gusht kontraktori vazhdonte punën në themele dhe nënstrukturë. Ai duhet të montojë ende mbistrukturën, të realizojë pllakën, hidroizolimin, shtresat rrugore, barrierat dhe lidhjet me aksin.

Ministri premtoi nëntorin ose dhjetorin. ARRSH-ja duhet të tregojë një grafik teknik që e mbështet këtë premtim. Një afat politik nuk ngre ura.

Projekti ka ndryshuar edhe në pjesën rrugore. Ministri pranoi se një Këshill Teknik miratoi një rrethrrotullim shtesë, pas kërkesave të Bashkisë Shkodër, banorëve dhe bizneseve.

Një ndryshim i tillë prek lëvizshmërinë, sigurinë, preventivin dhe grafikun. Ai ngre pyetjen pse projekti fillestar nuk i kishte parashikuar nevojat e banorëve dhe bizneseve përgjatë aksit. Projekti nuk u hartua në një zonë bosh. Banesat dhe aktivitetet ekonomike ekzistonin përpara tenderit.

ARRSH-ja duhet të tregojë vendimin e Këshillit Teknik, projektin e rishikuar, preventivin, burimin e financimit dhe ndikimin e ndryshimit te kontrata.

Në këtë histori nuk mjafton të thuhet se qeveria investoi 10 milionë euro në Shkodër. Paratë nuk i solli qeveria nga shtëpia. Ato vijnë nga buxheti dhe qytetarët paguajnë çdo lek.

Shkodra ka të drejtë të dijë pse ARRSH-ja kualifikoi vetëm dy oferta, si i ndau pikët, çfarë afati premtoi fituesi, pse ura nuk përfi, kush e zgjati kontratën dhe çfarë po ndodh me shtratin e Drinit. Pa këto dokumente, publiku sheh vetëm dy versione të së njëjtës vepër. Qeveria tregon projektin në ekran dhe flet për transformimin e hyrjes së Shkodrës. Videoja e 28 gushtit tregon një urë jashtë afatit, kompani që punojnë ende në themele dhe një lumë të tejmbushur për t’u krijuar rrugë makinerive.

Qeveria i dha tenderin kompanive që premtonin afat, teknologji dhe mbrojtje të mjedisit. Afati kaloi. Ura nuk përfi. Drini humbi një pjesë të shtratit.

Tani ARRSH-ja duhet të tregojë se çfarë bleu me 10 milionë euro dhe kush mban përgjegjësi për ferrin e trafikut që Shkodera po përjeton sot./Pamfleti

© Copyright Pamfleti

Ky artikull është material ekskluziv i Pamfleti dhe mbrohet nga e drejta e autorit, në përputhje me Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

Ripublikimi i plotë ose i pjesshëm i këtij shkrimi nga media të tjera lejohet vetëm duke cituar qartësisht Pamfleti si burim dhe duke vendosur në fund të materialit linkun e artikullit origjinal.

Çdo përdorim, kopjim apo ripublikim pa respektuar këto kushte përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe mund të sjellë përgjegjësi ligjore sipas legjislacionit në fuqi.mallkimi i rozafës ura e bahçallëkut pamja e castit 2026 08 29 040606 pamja e castit 2026 08 29 040421 pamja e castit 2026 08 29 035652 pamja e castit 2026 08 29 035059 pamja e castit 2026 08 29 035050 pamja e castit 2026 08 29 034829 pamja e castit 2026 08 29 034635 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Anti-Mafia Çifligu i kunatit të Ogerta Manastirliut: Albi Gjenerali në krye të Furnizuesit të Tregut të Lirë; OSHEE i çon 2,104 biznese, kap 99% të tregut 28 Gusht 2026, 20:2020:20Anti-Mafia Hijet mbi autostradën Milot–Balldren: Tenderi i kurdisur dhe misteri i tri ofertave identike prej 364.7 milionë eurosh 27 Gusht 2026, 14:0514:05Anti-Mafia Jeniçeri i Edi Ramës zbarkon me beton në Apoloni, Blendi Gonxhja i hap rrugën “Rozafa Agroturizëm” të Gjergj Lucës në zonën arkeologjike 26 Gusht 2026, 12:3312:33Anti-Mafia Rrjeti i pastrimit të parave të Neim Fejzullës: si "Doris FLOWERS", Primo Hotel dhe ''La Fortezza" legalizojnë miliona euro nga droga dhe cell-center-at 25 Gusht 2026, 14:0014:00Anti-Mafia Delina blen 3 makina luksoze: një për vete, dy për vartëset, nga kompania e familjes së kryebashkiakes së Durrësit 25 Gusht 2026, 10:4810:48Anti-Mafia Andis Salla, peshku i radhës i Gjergj Lucës: si ministri i Bujqësisë po ia dorëzon edhe Fierzën trafikantëve 24 Gusht 2026, 13:2613:26Anti-Mafia