Alket Rizai nuk është kthyer në burgun e Domokos, në Greqi, pas përfundimit të lejes së tij, duke u shpallur në kërkim nga autoritetet greke. Rizai dyshohet se është përfshirë në një incident të përgjakshëm në një bar plazhi në Anavyssos, në orët e para të së dielës, ku pati të shtëna me armë dhe dy persona mbetën të plagosur. Rizai duhej të paraqitej në burg në orën 08:00, por nuk u kthye, duke aktivizuar procedurat për arrestimin e tij. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve është fakti se shqiptari kishte përfituar 16 leje nga viti 2021 dhe ishte rikthyer në burg pas secilës prej tyre. Sipas informacioneve paraprake, konflikti në lokalin e plazhit nisi pasi muzika u ndërpre për shkak të orarit të vonë. Grupi ku ndodhej Rizai ishte fillimisht brenda lokalit, por më pas doli jashtë. Rizai dyshohet se shkoi drejt automjetit të tij së bashku me personat e tjerë dhe ndezi muzikën me volum të lartë. Pronari i lokalit doli për t’i tërhequr vëmendjen, çka solli një debat të ashpër. Situata u përshkallëzua brenda pak çastesh, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe kalimtarë dhe punonjës të lokalit. Sipas burimeve të cituara nga mediat greke, Rizai dyshohet se nxori një armë dhe mund të ketë qëlluar, ndoshta në ajër. Më pas, një shtetas afgan, i cili dyshohet se ishte i lidhur me sigurinë e lokalit, u përfshi në konflikt dhe thuhet se qëlloi në drejtim të Rizait. Policia po përpiqet të përcaktojë se kush ka përdorur armën, sa të shtëna janë kryer dhe në çfarë drejtimi janë qëlluar. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, të cilat po analizohen nga laboratorët mjeko-ligjorë. Nga incidenti mbetën të plagosur një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez. Gjendja e tyre shëndetësore pritet të jetë një nga elementet që do të ndihmojë hetuesit në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në lidhje me incidentin janë arrestuar pronari 41-vjeçar i barit të plazhit dhe bashkëshortja e tij 39-vjeçare. Pronari akuzohet, ndër të tjera, për dëshmi të rreme, strehim të një personi që ka kryer vepër penale, pengim të drejtësisë dhe nxitje për posedim e përdorim të paligjshëm të armës. Bashkëshortja e tij akuzohet për dëshmi të rreme dhe nxitje për posedim e përdorim të paligjshëm të armës. Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë kërkimet për gjetjen e Alket Rizait dhe po hetojnë me detaje sekuencën e ngjarjeve për të përcaktuar se kush e nisi përplasjen dhe nëse incidenti përfi në një shkëmbim zjarri. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: alket rizai

