Lajme Zone
Makina shoshë nga plumbat: Atentatorët i zunë pritë dhe zbrazën kallashin dhe MP5 drejt babait dhe djalit
Të tjeraJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 10 burime — Krahaso mbulimin →

Makina shoshë nga plumbat: Atentatorët i zunë pritë dhe zbrazën kallashin dhe MP5 drejt babait dhe djalit

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë i ndodhur një ditë më parë në zonën e Dukagjinit, ku mbetën të vrarë babë e bir, ndërsa personi i tretë që ndodhej në automjet shpëtoi, por u plagos.

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë i ndodhur një ditë më parë në zonën e Dukagjinit, ku mbetën të vrarë babë e bir, ndërsa personi i tretë që ndodhej në automjet shpëtoi, por u plagos.

Viktimat janë Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Me ta udhëtonte edhe Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit dhe mbeti i plagosur nga të shtënat. Ai u transportua fillimisht në Spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan. Babë e bir po largoheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin dhe po udhëtonin drejt zonës së Grudës, në Shkodër, kur automjeti i tyre u vu nën breshërinë e armëve nga persona ende të paidentifikuar.

Në vendngjarje hetuesit kanë gjetur më shumë se 50 gëzhoja, ndërsa dyshohet se autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5. Përdorimi i dy armëve ka forcuar dyshimet se në atentat mund të kenë marrë pjesë të paktën dy persona.

Pas ngjarjes, në zonë u angazhuan forca të shumta policie dhe efektivë të RENEA-s për kontrollin e territorit dhe kërkimin e autorëve. Policia mori njoftimin rreth orës 17:20, ndërsa efektivët mbërritën në vendngjarje rreth orës 19:00. Terreni i thepisur malor dhe distanca e konsiderueshme dyshohet se kanë ndikuar në vonesën e ndërhyrjes, duke u dhënë autorëve kohë për t'u larguar.

Familjarët kanë deklaruar para hetuesve se nuk kishin dijeni për konflikte apo kërcënime ndaj Prelë dhe Lekë Gjonit. Sipas dëshmive të tyre, një ditë para atentatit, babë e bir kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku kujdeseshin edhe për disa koshere bletësh.

Në momentin e sulmit ata po ktheheshin drejt banesës së tyre në zonën e Grudës.

Grupi hetimor po shqyrton disa pista për të zbardhur motivin e atentatit. Një prej tyre lidhet me jetën personale të 57-vjeçarit, i cili ishte divorcuar nga bashkëshortja rreth tre muaj më parë. Çifti kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që divorci të ketë lidhje me vrasjen dhe kjo mbetet vetëm një pistë që po verifikohet.

Hetuesit po analizojnë gjithashtu aktivitetin e Lekë Gjonit. Ai punonte me kamion dhe, sipas të dhënave paraprake, ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Gjithashtu kishte në përdorim një eskavator, me të cilin punonte së bashku me një banor tjetër të zonës.

Policia vijon punën për të rindërtuar lëvizjet e viktimave para atentatit, për të përcaktuar motivin dhe për të identifikuar autorët. Një prej pikave kyçe të hetimit mbetet edhe koha e gjatë mes momentit të sulmit dhe mbërritjes së forcave të policisë, pasi dyshohet se autorët kanë përfituar nga terreni i vështirë për t'u larguar nga zona.