Një e moshuar është përplasur nga një automjet mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Fier–Patos, pranë ish-parkut të automjeteve në Fier. Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Volkswagen Passat” ka goditur të moshuarën, e cila ndodhej në këmbë në anë të rrugës.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit ka ndaluar, ndërsa e moshuara është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas bluzave të bardha, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila ka ndërhyrë për menaxhimin e qarkullimit për shkak të fluksit të lartë të automjeteve. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

