Britney Spears ka rihapur plagët e së kaluarës dhe ka bërë një deklaratë tronditëse për babain e saj, Jamie Spears. Këngëtarja 44-vjeçare ka rikthyer në vëmendje vitet e kujdestarisë ligjore që i dhanë të atit kontroll mbi financat dhe një pjesë të rëndësishme të jetës së saj.
Deklaratat e forta u bënë në një postim të gjatë në rrjetet sociale, të publikuar në ditëlindjet e dy djemve të saj, Sean Preston dhe Jayden James. Postimi u fshi më vonë, por fjalët e këngëtares ishin shpërndarë tashmë gjerësisht në internet.
Në një pjesë të mesazhit, Spears iu drejtua drejtpërdrejt babait të saj, duke e lidhur gjendjen e tij shëndetësore me vuajtjet që, sipas saj, ka përjetuar gjatë viteve të kujdestarisë.
“Por ju të gjithë më njihni, unë kam falur dhe kam qenë gjithmonë personi më i madh, apo jo. Pyes veten pse Zoti ia mori këmbët babait tim?”, shkroi ajo.
Më tej, këngëtarja vijoi me një tjetër deklaratë të ashpër, duke iu referuar ndjesisë së humbjes së lirisë gjatë periudhës kur ishte nën kujdestari:
“A ma mori emrin dhe ekzistencën time në MURICA, vendi i të lirëve!!”
Britney ka pretenduar gjithashtu se për rreth 15 vjet ka qenë e kufizuar në lëvizjet dhe vendimmarrjen e saj, duke thënë se udhëtimet gjatë asaj periudhe ishin kryesisht të lidhura me punën dhe vendimet e prindërve të saj.
Kujdestaria ligjore nisi në vitin 2008 dhe përfi në nëntor të vitit 2021, pas më shumë se një dekade. Gjatë kësaj periudhe, Jamie Spears kishte rol në kontrollin e financave dhe aspekteve të tjera të jetës së vajzës së tij.
Ndërkohë, Jamie Spears ka përjetuar probleme të rënda shëndetësore. Në vitin 2023, atij iu amputua një këmbë pas një infeksioni serioz, i cili pasoi një ndërhyrje në gju. Sipas raportimeve, ai iu nënshtrua disa operacioneve përpara se amputimi të konsiderohej i nevojshëm.
Megjithatë, mesazhi i Britney-t nuk ishte vetëm për të atin. Këngëtarja po shënonte ditëlindjet e dy djemve të saj: Sean Preston mbushi 21 vjeç, ndërsa Jayden James 20 vjeç.
Në fund të postimit, Spears theksoi edhe ndryshimin që ka përjetuar pas përfundimit të kujdestarisë, duke shprehur mirënjohjen për lirinë që ka sot.
“Sepse tani mund të shkoj kudo që dua. Jam shumë mirënjohëse!”, shkroi ajo.
Edhe pse kujdestaria ka përfunduar prej vitesh, deklaratat e fundit tregojnë se pasojat emocionale të asaj periudhe vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhënien e Britney Spears me babain dhe familjen e saj.

