Lajme Zone
Lutfi Dervishi: Orët e Tiranës
PolitikëReport TV

Lutfi Dervishi: Orët e Tiranës

"Qeveria dëshiron të vrapojë drejt mbylljes së kapitujve, ndërsa një prej kushteve të Brukselin e kthen përsëri te vendi nga nisi protesta, në Zvërnec. (Në procesin e integrimit, ndër dekada kemi treguar herë pas here një talent të rrallë: vrapojmë drejt finishit dhe, gjatë rrugës, arrijmë të qëllojmë me sukses veten)"

Tik -taku i gjashtë muajve Tirana politike sot i ngjan sportelit të një hoteli të madh në murin e të cilit janë varur gjashtë orë dhe secila tregon kohë te ndryshme. LEXO edhe...‘Jo në emrin tim’- Protestuesit mbushin sheshe e rrugë në Prishtinë, kundërshtojnë vendimin e Hagës për 4 ish-krerët e UÇK 1. Ora e sheshit Në ditën e 1111-të, protesta është ende në shesh dhe kërkesat kryesore politike mbeten po ato: dorëheqja e Kryeministrit dhe qeveria teknike. Fakti që protesta ka kaluar verën dhe ka hyrë në vjeshtë është në vetvete një ngjarje, por tani pyetja nuk është sa do të zgjasë, por a do të kete masivitetin e javëve të para? A do të prodhojë një mekanizëm politik për kërkesat e veta, sidomos për qeverinë teknike. Kjo orë deri më tani ka treguar qëndrueshmërinë e protestes, por në gjashtë muajt e ardhshëm do të tregojë ndikimin që do të ketë. 2. Ora elektorale Gradualisht po hyjmë në orbitën e zgjedhjeve lokale të pranverës së ardhshme. Në Tiranë, PS dhe PD pothuajse kanë "zyrtarizuar" kandidatët. A do ta ndryshojë protesta fushatën, kandidatët dhe temat e saj apo, afrimi i zgjedhjeve do ta tërheqë protestën në gravitetin e partive? A do të prodhojë protesta lëvizje/formacion politik? 3. Ora parlamentare Në Parlament po punojnë ndërkohë dy mekanizma që mund të ndryshojnë fushën e lojës: reforma zgjedhore dhe reforma territoriale. A mund të bëhen dy reforma kaq të rëndësishme vetëm si marrëveshje mes partive tradicionale, kur jashtë Parlamentit është krijuar ndërkohë një energji politike që nuk identifikohet domosdoshmërisht me to? 4. Ora e drejtësisë SPAK ka kalendarin e vet, dosjet e veta dhe ritmin e vet dhe, ndryshe nga ora elektorale apo parlamentare, kjo është një orë që vështirë të kurdiset sipas axhendës së politikës. Një hetim, një akuzë apo një gjetje e "re" në një dosje VIP mund ta ndryshojë brenda ditës axhendën politike. Në një periudhë normale kjo do të ishte thjesht një ngjarje e madhe mediatike/gjyqësore, skandali radhës, por në një periudhë proteste dhe pragzgjedhjesh, efekti politik mund të jetë shumë më i madh. 5. Ora europiane Kjo orë punon sipas kohës së Brukselit, por tik-taku i saj dëgjohet gjithnjë e më fort në Tiranë. Qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit tjetër do të mbyllë kapitujt ndërkohë që deri tani nga 33 kapitujt janë mbyllur (përkohësisht) vetëm 3. Zotimi është se deri në fund të vitit tjetër do të mbyllen 30! Një nga çështjet prej së cilës u ndez protesta, zonat e mbrojtura, lidhet drejtpërdrejt me Kapitullin 27, mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Qeveria dëshiron të vrapojë drejt mbylljes së kapitujve, ndërsa një prej kushteve të Brukselin e kthen përsëri te vendi nga nisi protesta, në Zvërnec. (Në procesin e integrimit, ndër dekada kemi treguar herë pas here një talent të rrallë: vrapojmë drejt finishit dhe, gjatë rrugës, arrijmë të qëllojmë me sukses veten) 6. Ora pa akrepa Kjo orë nuk ka kalendar parlamentar, datë zgjedhjesh, afate negociatash apo procedurë penale, është ora e "asaj që nuk ta merr mendja ", nuk ka akrepat, por ecën... Mund të jetë një incident, një përplasje, një reagim joproporcional, një përgjim, një gafë politike, një ngjarje që sot nuk ekziston në axhendën apo mendjen e dikujt. Në momente ndryshimi, historia ka treguar se shpesh nuk është ajo që planifikon që e ndryshon dinamikën dhe rrjedhën, por ngjarja që askush nuk e kishte menduar. Nëse do të vija bast do të qarkoja policinë si një nga faktorët që mund ta rrisë ose ta ulë temperaturën. Kjo është ora që nuk e sheh askush, deri në çastin kur bie zilja e alarmit. Cila prej këtyre orëve do të ecë më shpejt gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe cila do t’ua imponojë ritmin pesë të tjerave? A mund të shkojë vendi normalisht drejt zgjedhjeve vendore nëse protesta vazhdon? A mund të bëhet reforma zgjedhore pa marrë parasysh energjinë dhe kërkesat politike që kanë lindur jashtë partive të mëdha? A mund të kërkojë protesta qeveri teknike pa propozuar mekanizmin se si krijohet ajo? Çfarë ndodh nëse SPAK prodhon një goditje të madhe në mes të kësaj situate? Çfarë ndodh nëse një incident i paparashikuar ndryshon brenda pak orësh gjithçka? Për momentin, të gjashte orët punojnë njëkohësisht dhe askush nuk e di se cila është përpara dhe cila është prapa dhe mbi të gjitha cila orë do t’ua imponojë kohën të tjerave! R.Xh/ReportTv.al proteste protestat kunder qeverise tirana Lutfi Dervishi Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.9% Të gabuar 89.4% Nuk e di 4.8% Vota total: 3723 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?