Pavarësisht ndërhyrjes nga toka dhe nga ajri një ditë më parë në Gurë – Lurë, flakët vijojnë përhapjen deri në afërsi të banesave. Të mërkurën, për vënien në kontroll të tyre janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, vullnetare, efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë që dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor po hedhin ujë nga ajri.
Era përhapi flakët edhe në Krujë, ku operacionet për neutralizimin e tyre vazhdojnë në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë-Halil. Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes thotë se nuk ka rrezik për banorët. Megjithatë, në Abaze pritet të shkojnë edhe rreth 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
As në Drenie të Patosit, ku një ditë më parë u riaktivizua vatra e zjarrit, ndërhyrja e dy avionëve Air Tractor nga ajri dhe zjarrfikësve nga toka nuk arriti të lokalizojë flakët. Ndërhyrja po vijon edhe sot me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Vatra të tjera aktive zjarri, por pa rrezik për zonën e banuar, ka në Dajt, në Priskë, në Nëmërçkë, në malin Dhëmbel dhe në një zonë të mbrojtur pyll me pisha në malin e Moravës. Ministria e Mbrojtjes thotë se po punohet për t’i shuar.
Nga 25 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, aktualisht 9 janë ende aktive. Në operacionet për shuarjen e tyre po punojnë rreth 400 forca operacionale, me 41 automjete, të ndihmuar nga rreth 170 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe dy avionë Air Tractor të Forcës Ajrore./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Aktualitet lurezjarr

