Lajme Zone
“Kam tre fëmijë dhe kërkoj vetëm një punë që të mund t’i rris”
Të tjeraJOQ Albania

“Kam tre fëmijë dhe kërkoj vetëm një punë që të mund t’i rris”

Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë tonë.

Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë tonë.

Emanuela, nga qyteti i Patosit, është nënë e tre fëmijëve dhe prej katër vitesh e ndarë. Ajo thotë se prej dy vitesh kërkon punë pranë Bashkisë Patos, por deri më tani nuk ka mundur të gjejë një vend pune.

“Kam dy vjet që shkoj në bashki dhe kërkoj punë. Kam kërkuar edhe si pastruese, në gjelbërim apo çdo punë tjetër që mund të bëj, por vetëm më sorollasin dhe më thonë se nuk ka vende pune”, shprehet Emanuela.

Ajo tregon se familja ndodhet në kushte shumë të vështira ekonomike. Bashkia i ka dhënë një banesë, por ajo nuk ka mundësi të përballojë shpenzimet. Prej gjashtë muajsh nuk ka mundur të paguajë qiranë, ndërsa energjia elektrike i është ndërprerë për shkak të pamundësisë për të paguar faturat.

“Me çfarë t’i paguaj ujin, dritat dhe qiranë nëse nuk kam punë? Unë dua vetëm të punoj dhe t’i rris fëmijët e mi”, thotë ajo.

Emanuela tregon se nuk merr asnjë ndihmë sociale dhe se aktualisht ka nevojë edhe për ushqime për fëmijët. Babai i fëmijëve, sipas saj, nuk paguan detyrimet për ta, ndërsa ajo mbështetet herë pas here vetëm te prindërit.

Fëmija më i vogël është vetëm 3 vjeç. Gjatë javës qëndron në kopsht, ndërsa të shtunave kujdeset vajza e madhe, në mënyrë që Emanuela të ketë mundësi të punojë.

Ajo shprehet gjithashtu e shqetësuar për kushtet e banesës ku jetojnë, duke theksuar se ndodhet në katin e pestë dhe se dritaret nuk kanë mbrojtëse.

“Kam frikë për fëmijët e mi. Mund të vini ta shikoni vetë gjendjen ku jetojmë. Nuk po kërkoj luks, kërkoj vetëm një punë që të kem mundësi t’u siguroj fëmijëve bukën dhe kushtet minimale të jetesës.”

Emanuela bën apel për ndihmë dhe veçanërisht për një mundësi punësimi, qoftë edhe si pastruese apo në mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në Patos.

“Jam vetëm me tre fëmijë dhe nuk kam mbështetje. Të vuash për bukë në vitin 2026 është e dhimbshme. Unë nuk kërkoj asgjë tjetër, vetëm një punë.”

Rasti i saj bëhet publik me shpresën se institucionet, bizneset apo qytetarët që kanë mundësi do ta ndihmojnë këtë familje, qoftë me një mundësi pune, ushqime apo mbështetje për shpenzimet bazë.