Lajme Zone
“Lulet e së keqes” dhe 84 kg kokainë në trëndafila, kush është trafikanti shqiptar i arrestuar
SportJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

“Lulet e së keqes” dhe 84 kg kokainë në trëndafila, kush është trafikanti shqiptar i arrestuar

Policia greke vijon të mbajë të fshehtë identitetet e personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Lulet e së keqes”, i zhvilluar në bashkëpunim me DEA-n amerikane kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Kolumbia drejt Greqisë.

Policia greke vijon të mbajë të fshehtë identitetet e personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Lulet e së keqes”, i zhvilluar në bashkëpunim me DEA-n amerikane kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Kolumbia drejt Greqisë.

Kanë kaluar rreth 72 orë nga aksioni, ndërsa autoritetet greke nuk kanë bërë ende publike emrat e të ndaluarve. Në total, operacioni ka çuar në pranga shtatë persona, pjesa më e madhe shtetas shqiptarë, ndërsa në fokusin e hetimit janë nëntë individë.

Mes të arrestuarve raportohet se ndodhet një person i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për një vrasje të kryer në Shqipëri. Një tjetër shqiptar dyshohet se kishte lidhje me rrjete të trafikut të drogës në Kolumbi. Burime konfidenciale bëjnë me dije se një prej personave të arrestuar është i njohur edhe në rrethet e biznesit në Shqipëri.

Hetimi ka zbuluar një skemë të mirëorganizuar, ku transporti i drogës kamuflohej pas dërgesave me trëndafila.

Në qendër të saj ishte një kompani e krijuar në vitin 2023, e cila paraqitej si importuese e luleve. Megjithatë, sipas hetuesve, bëhej fjalë për një subjekt pa aktivitet real, pa staf dhe pa një seli funksionale.

Dyshimet u shtuan pasi aktiviteti i deklaruar i kompanisë nuk përputhej me tregtinë e luleve. Autoritetet nisën të analizojnë historikun e importeve dhe zbuluan se, vetëm gjatë tetë muajve të fundit, subjekti kishte realizuar shtatë dërgesa me trëndafila nga Kolumbia drejt Greqisë.

Sipas vlerësimit të hetuesve, një ose dy ngarkesat e para mund të kenë shërbyer për të testuar skemën dhe për të parë nëse mënyra e transportit mund të kalonte pa u zbuluar. Më pas, dyshohet se droga është futur në dërgesat e tjera.

Pikërisht mënyra e transportit duket se ka qenë një nga elementët kryesorë të skemës. Në vend që ngarkesat të udhëtonin drejtpërdrejt nga Kolumbia drejt Greqisë, ato kalonin fillimisht në Kanada. Hetuesit dyshojnë se kjo rrugë është zgjedhur për të shmangur sistemet e analizës së riskut që përdorin autoritetet doganore dhe policore.

Pas mbërritjes në Kanada, dokumentet e transportit ndryshoheshin. Në dokumentacionin e ri, një kompani kanadeze figuroi si dërguese, ndërsa si destinacion përfundimtar rezultonte një biznes lulesh në Artemidha. Por edhe ky biznes rezultoi problematik. Sipas hetimit, dyqani dyshohet se ekzistonte kryesisht në mënyrë virtuale, ndërsa ambienti fizik ku supozohej se zhvillohej aktiviteti ishte marrë me qira vetëm pak ditë përpara mbërritjes së ngarkesës në Athinë.

Droga ishte shpërndarë në 80 kuti me lule. Sipas të dhënave të hetimit, në një buqetë me rreth 40 trëndafila, rreth 11 prej tyre ishin përshtatur posaçërisht për të fshehur kokainën. Mekanizmi ishte relativisht i vështirë për t'u dalluar me një kontroll të zakonshëm. Pjesa e sipërme e lules ruhej natyrale, ndërsa kërcelli zëvendësohej me një material plastik. Brenda këtij kërcelli fshihej kokaina.

Kjo mënyrë paketimi, sipas autoriteteve, mund ta bënte të vështirë identifikimin e drogës gjatë një kontrolli standard, pasi kërcelli në pamje të parë mund të dukej i zakonshëm.

Hetuesit grekë nuk e konsiderojnë këtë teknikë një risi absolute në trafikimin e kokainës. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe më herët, veçanërisht në lidhje me rrjete kriminale nga Kolumbia.