Lajme Zone
Luks marramendës: Peleshi hap thesin, mbi 850 mijë euro për udhëtime e karrige
PolitikëJOQ Albania

Luks marramendës: Peleshi hap thesin, mbi 850 mijë euro për udhëtime e karrige

Përderisa në sallën e seancave plenare debatohet shpesh me tone të ashpra nëse buxheti i shtetit ka mjaftueshëm para për pensionet, shëndetësinë apo arsimin, për komoditetin e deputetëve paratë duket se nuk janë aspak problem. Dokumentet e publikuara mbi planin e prokurimeve të Kuvendit për vitin 2026 zbulojnë shpenzime marramendëse që kapin shifrën e miliona eurove nga taksat e shqiptarëve.

Kuvendi i drejtuar nga Niko Peleshi ka planifikuar një faturë prej 85 milionë lekësh (afërsisht 850 mijë euro) vetëm për tri nevoja bazë të parlamentarëve: udhëtimin, lëvizjen dhe uljen e tyre. 400 mijë euro (40 milionë lekë) janë parashikuar vetëm për biletat e udhëtimeve ndërkombëtare.

200 mijë euro (20 milionë lekë) do të shkojnë për blerjen e karrigeve të reja në sallën e seancave plenare.

250 mijë euro (25 milionë lekë) do të përdoren për mbushjen me karburant të makinave zyrtare. Përveç rehatisë fizike, regjistrat e prokurimeve tregojnë se Parlamenti ka edhe kërkesa mjaft "elegante". Për pritje ceremoniale, dreka, darka dhe kokteje është caktuar një fond limit prej 100 mijë eurosh. Ndërsa për dhuratat protokollare janë parashikuar 15 mijë euro, ku si fitues në regjistrin e realizimeve rezulton "Argjendari Piro" me një kontratë prej rreth 4 mijë eurosh.

Fatura e luksit vijon me blerjen dhe mirëmbajtjen e luleve e vazove me rreth 8,400 euro, ku në dokumente shfaqet edhe "Porcelani Studio".

Mes artikujve të luksit, vihet re edhe një projekt me kosto mjaft të lartë: ndërtimi i një Media Hub-i për Kuvendin me vlerë rreth 418 mijë euro, përveç 7,800 eurove të shpenzuara për hartimin e projektit.

Në kushtet kur Shqipëria disponon tashmë kanalin e dedikuar publik "RTSH Kuvend" dhe transmeton çdo aktivitet parlamentar online, lind pyetja se cilat janë ato shërbime të reja që do të ofrojë ky "Media Hub" për të justifikuar një faturë shtesë prej mbi 418 mijë eurosh.

Në total, 25 procedurat e prokurimit me vlerë të madhe të parashikuara nga Kuvendi për vitin 2026 arrijnë shifrën e rreth 2.6 milionë euro. Taksapaguesve shqiptarë u mbetet të paguajnë afro 1 milion euro vetëm që deputetët të udhëtojnë e të arrijnë deri te karrigia e tyre, pa përfshirë këtu ende pagat, dietat apo shpenzimet e tjera të protokollit.