Lajme Zone
Lobistët, martesat, avionët privatë dhe borxhi prej 100 mijë dollarësh! Investigimi që vë në telashe ambasadoren amerikane në Athinë, Trump: Nuk jemi të kënaqur!
BotëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Lobistët, martesat, avionët privatë dhe borxhi prej 100 mijë dollarësh! Investigimi që vë në telashe ambasadoren amerikane në Athinë, Trump: Nuk jemi të kënaqur!

Ish-figurë e Fox News, ish-partnere e Donald Trump Jr. dhe ish-bashkëshorte e guvernatorit aktual të Kalifornisë, Gavin Newsom, Guilfoyle dyshohet se ka promovuar një kompani greke dhe i ka kërkuar 100 mijë dollarë një donatori. Ajo i mohon akuzat.

"Nuk jemi të kënaqur". Kur Donald Trump nis të flasë në shumës, zakonisht dikush është gati të mbetet vetëm. Këtë herë radha i ka ardhur Kimberly Guilfoyle, ambasadores amerikane në Athinë. Të hënën, presidenti bëri të ditur se po "shqyrton çështjen". Dhe çështja është një varg zbulimesh të Wall Street Journal, që i atribuojnë asaj favore ndaj një kompanie greke, udhëtime me avionë privatë të ofruara nga biznesmenë dhe kërkesën për 100 mijë dollarë drejtuar një donatori, në këmbim të hapjes së dyerve në Uashington. Të premten, Trump dukej sikur nuk dinte asgjë: "Sapo e mora vesh, më vjen keq. Ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme". Tri ditë më vonë, toni ndryshoi. Sipas AP dhe CNN, vendimi pritet së shpejti. Ai dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se janë «jashtëzakonisht të irrituar», ndërsa akuzat po hetohen nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit. LEXO EDHE:Ylli Pata: Flamingo, revolucioni i krijuar në inkubator Një jetë si në roman Jeta e Guilfoyle ngjan me një roman amerikan. Ajo lindi në San Francisko në vitin 1969, nga një baba irlandez dhe një nënë portorikane. U diplomua në Davis, një qytet pranë Sakramentos, më pas për Drejtësi në Universitetin e San Franciskos dhe e nisi karrierën si prokurore. U martua me Gavin Newsom, sot guvernator demokrat i Kalifornisë dhe një nga shënjestrat e preferuara të Trumpit. Pas divorcit, u martua sërish, këtë herë me sipërmarrësin Eric Villency, me të cilin ka djalin Ronan. Në televizion u bë një nga figurat e Fox News. Mes lidhjeve të saj sentimentale është edhe ajo me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit amerikan: qëndruan bashkë për gjashtë vjet dhe më pas u ndanë. Në jetëshkrimin e Guilfoyle figuron edhe sipërmarrja. Provoi të merrej me biznes, me parfume e vodka, por pa sukses. "Grekët? Duhen edukuar, si qentë që urinojnë mbi qilim" Në dhjetor të vitit 2024, ndërsa qarkullonin zëra për ndarjen e saj nga i biri, Trump e emëroi ambasadore në Greqi, gruaja e parë në këtë detyrë. «Duhej ta hiqja qafe», thuhet se i kishte shpjeguar dikujt. Shtëpia e Bardhë e mohon këtë. Në Athinë, sidoqoftë, ajo nuk mbërriti si një figurë e mirëpritur. Në vitin 2015, gjatë muajve më të vështirë të krizës së borxhit, kishte thënë në televizion se grekët duheshin edukuar si një qen që urinon mbi qilim. "Nuk ka rëndësi nëse bëni kos të shkëlqyer". "Mund ta fusim në krizë qeverinë e kujtdo. Edhe atë greke" Pjesa e parë e investigimit të Wall Street Journal u publikua më 25 shtator. Gazeta amerikane e ndoqi ambasadoren nga Sofja në Tiranë, ku po angazhohej për t’u shitur gazin amerikan vendeve të Ballkanit dhe, njëkohësisht, për të promovuar Aktor, gjigantin grek të ndërtimit që së fundmi kishte hyrë në sektorin e gazit të lëngshëm. Në Bullgari, administratori i deleguar i grupit, Alexandros Exarchou, e solli me avion privat. Në takimet zyrtare, Christos Marafatsos ulej aq shpesh pranë saj, sa disa zyrtarë e ngatërronin me shefin e kabinetit të ambasadores. Tridhjetë e nëntë vjeç, me origjinë nga Marylandi, Marafatsos kishte punuar më parë si shpërndarës perimesh për restorantet e Uashingtonit dhe më pas kishte drejtuar grupin «Greek Voices for Trump». Në të vërtetë, ai punon për Aktor dhe është regjistruar si lobist i saj që prej nëntorit 2025. Drejtuesi i një tjetër kompanie amerikane të gazit, të cilën ambasadorja e kishte shpërfillur, e përmblodhi kështu sjelljen e saj: "Ka të preferuarit e vet". Në Selanik, para se të ngjitej në skenë, ajo ia besoi telefonin Marafatsosit — fustani, shpjegon avokati i saj, nuk kishte xhepa — dhe bëri shaka me të pranishmit: «S’ka përse, Greqi». Pastaj është edhe darka në ambasadë më 18 mars. Duke folur për krizën e qeverisë rumune, në prani të ministrit të Energjisë, Stavros Papastavrou, Guilfoyle thuhet se deklaroi: «Mund ta bëjmë këtë në çdo vend që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu». Avokati i saj e kundërshton këtë version të ngjarjes. "Më duhen 100 mijë dollarë, zemër" Më 7 tetor mbërriti kapitulli më i sikletshëm. Është 3 korrik 2025, gjashtë ditë para seancës së saj dëgjimore në Senat, dhe Guilfoyle i shkruan Eric Detersit, një donator të Trumpit nga Kentaki dhe ish-avokat, që e përkufizon veten si "një i jashtëligjshëm i ligjit" Ajo i kërkon 100 mijë dollarë, që t’ia derdhë drejtpërdrejt në kartën e saj American Express. Me një transfertë bankare, e siguron ajo, «nuk do të figurojë askund». Në një tjetër mesazh, me simbolin e duarve të bashkuara në lutje, këmbëngul: "Zemër, të lutem". Deters nuk është një i panjohur. Ai organizon në Kentaki tubime kundër masave të detyrueshme për Covid-in dhe, ndër vite, i ka paguar asaj tashmë 300 mijë dollarë për të dalë në skenë. Por tani kërkon më shumë. Kërkon që Uashingtoni të mundësojë ekstradimin nga Pakistani të një kirurgu të akuzuar se kishte operuar pa arsye dhjetëra pacientë, përfshirë fëmijë. Kërkon ndihmë për problemet me tatimet. Dhe kërkon një intervistë me Tucker Carlson: nëse ajo arrin t’ia sigurojë, thuhet se i ka premtuar një milion dollarë. "Një milion për një podcast? Po a nuk është ajo ambasadorja në Greqi?", komenton Carlson, i cili thotë se nuk kishte dëgjuar kurrë për Detersin. "Është një çmenduri e plotë". Ajo e këshillon Detersin të mos hedhë asgjë me shkrim, sepse "është vërtet e rrezikshme", dhe ta telefonojë në Signal. Paratë nuk mbërrijnë kurrë. Tri ditë më vonë, në pjesën e tretë të investigimit, gazeta zbulon një regjistrim audio, ku Guilfoyle tregon se në janar kishte fluturuar drejt Davosit me avion privat me Exarchoun dhe se kishte në plan një udhëtim me një pronar grek anijesh. Avokati Jesse Binnall kundërshton autenticitetin e mesazheve. Sipas avokatëve, Deters ishte thjesht një "klient që nuk kishte shlyer pagesat", i cili ende i detyrohej para për "aktivitete patriotike" të mëparshme, dhe ajo nuk e kishte vënë kurrë në kontakt me administratën. Fluturimet private, shtojnë ata, ishin autorizuar nga Departamenti i Shtetit. Por në Uashington klima ka ndryshuar. Rubio, i cili e kishte lavdëruar si "një ambasadore të fortë", tani mjaftohet duke thënë se «as nuk e di» nëse akuzat janë të vërteta. Zëvendëspresidenti JD Vance nuk i sheh me sy të mirë ata që "shesin aksesin" te një zyrtar qeveritar. John Barrasso, numri dy i republikanëve në Senat, i cilëson lajmet "shumë shqetësuese". Wall Street Journal shkruan se Guilfoyle u tregonte miqve se e donte Greqinë edhe për shkak të Jackie Kennedy-t. E cila, fundja, atje gjeti një pronar anijesh./CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com TAG: Kimberly Guilfoyle greqi donald trump marco rubio Komente Komento Sondazhi i ditës:

12 Tetor, 19:56

Berisha kundër votimit elektronik në 2027, a besoni se mund të manipulohet? Po 25.7% Jo 69.8% Nuk e di 4.5% Vota total: 1352 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 12 Tetor, 19:56 Berisha kundër votimit elektronik në 2027, a besoni se mund të manipulohet?