Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po aplikon politika fiskale që favorizojnë kompani KAYO, ndërsa fermerët dhe blegtorët përballen me barrë të lartë fiskale. Në një reagim publik, Tabaku sjell si shembull një nismë të fundit të qeverisë për të përfshirë në listën e makinerive të përjashtuara nga TVSH-ja edhe pajisjet që përdoren ose do të përdoren nga kompania KAYO. Sipas deputetes demokrate, ndërkohë që për kompanitë e lidhura me investime pranë qeverisë gjenden shpejt lehtësime fiskale, fermerët dhe blegtorët kanë kërkuar prej kohësh uljen ose lehtësimin e TVSH-së për bujqësinë, por kërkesa e tyre është refuzuar. Tabaku thekson se bujqësia përbën rreth 15% të PBB-së dhe punëson një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, ndërsa sektori po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Deputetja argumenton gjithashtu se vendet e rajonit aplikojnë norma më të ulëta për produktet ushqimore bazë, duke rritur konkurrueshmërinë e prodhuesve të tyre, ndërsa sipas saj politikat e qeverisë shqiptare po rëndojnë fermerët dhe po dobësojnë produktet “Made in Albania”. Në përfundim, Tabaku e cilëson këtë qasje si “shtet personal” dhe akuzon qeverinë socialiste se po favorizon një pakicë të privilegjuar në dëm të shumicës.
REAGIMI I TABAKUT
Si ta kuptojmë shtetin personal? Është folur gjatë për ligjet me porosi dhe shtetin personal. Megjithatë, ka ende qytetarë që pyesin se si mund të dallohet një politikë e tillë.
Ja një shembull i freskët.
Pak javë më parë, qeveria ndërmori një nismë për të përfshirë në listën e makinerive të përjashtuara nga TVSH-ja edhe ato që përdoren ose do të përdoren nga kompania KAYO.
Ndërkohë, prej më shumë se një mandati, fermerët dhe blegtorët kërkojnë lehtësimin e TVSH-së për bujqësinë—një sektor që përbën rreth 15% të PBB-së, punëson një pjesë të madhe të shqiptarëve dhe po përjeton një nga rëniet më të forta në ekonominë tonë.
Në çdo diskutim në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ministrat përgjegjës për bujqësinë e kanë refuzuar këtë kërkesë.
Për bujqit nuk gjendet zgjidhje. Për kompanitë pranë oborrit qeveritar gjenden menjëherë përjashtime fiskale, status investitori strategjik dhe tokë publike.
Vendet e rajonit aplikojnë norma më të ulëta për produktet e shportës ushqimore, duke i bërë prodhuesit e tyre më konkurrues. Qeveria socialiste, përkundrazi, vazhdon t’i rëndojë fermerët me TVSH, të dobësojë produktet “Made in Albania” dhe të ushqejë informalitetin.
Një qeveri në krah të një pakice të privilegjuar dhe kundër shumicës së harruar.
Ky është shteti personal. Ky është sistemi socialist. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: KAYO tabaku

