Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Libohovë, pas ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, e cila vuri në pranga një 40-vjeçar që kishte kërcënuar bashkëshorten e tij me armë zjarri. Sipas policisë, shtetasi T. B., pas një konflikti për motive të dobëta me bashkëshorten, e kishte kanosur se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe më pas ishte larguar me automjet, duke qëlluar në ajër. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë ndërhyrjen për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e tij. Pas rreth 2 orësh e 30 minutash negociata me Policinë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, banues në Libohovë, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi armën automatike, e cila kishte fishekë në folenë e fishekut, si dhe krehërin me municionin përkatës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

